Trump, tur “paqeje” në Azi, takim me presidentin kinez për tarifat. Do takojë komunistin Kim Jong Un dhe Lula da Silva

25/10/2025 11:54

Presidenti amerikan Donald Trump ka nisur turin aziatik, i cili pritet të përfshijë takime me liderë të rëndësishëm botërorë dhe negociata vendimtare tregtare me homologun kinez Xi Jinping.

Trump do të takohet me Xi në Korenë e Jugut, në ditën e fundit të vizitës së tij rajonale, me synimin për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës tregtare mes dy ekonomive më të mëdha të botës. Presidenti amerikan do të vizitojë gjithashtu Malajzinë dhe Japoninë, në udhëtimin e tij të parë në Azi që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar, periudhë që ka shënuar rritje të tarifave dhe marrëveshjeve të reja ndërkombëtare. Në avionin presidencial Air Force One, Trump deklaroi se pret një “takim shumë të mirë” me Xi, duke shtuar se beson që Kina do të bëjë lëshime për të shmangur tarifat 100 për qind që pritet të hyjnë në fuqi më 1 nëntor.

Gjatë nisjes nga Uashingtoni, Trump shtoi se është i hapur për një takim me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, nëse palët arrijnë dakordësi gjatë qëndrimit në gadishullin korean.

Do ta bëja. Nëse doni ta publikoni, jam i hapur për të,” u shpreh ai, duke kujtuar “marrëdhënien e shkëlqyer” që kishte pasur me Kim. I pyetur nëse do të pranonte kërkesën e Phenianit për njohjen si shtet bërthamor, Trump u përgjigj: “Epo, mendoj se ata janë disi një fuqi bërthamore… Kanë shumë armë bërthamore, do ta pranoj këtë.”

Ndalimi i parë i Trump do të jetë Malajzia, ku do të marrë pjesë në samitin e ASEAN-it, një mbledhje që e kishte shmangur disa herë gjatë mandatit të tij të parë. Ai pritet të nënshkruajë një marrëveshje tregtare me Malajzinë, si dhe të mbikëqyrë firmosjen e një marrëveshjeje paqeje mes Tajlandës dhe Kamboxhias, pjesë e përpjekjeve të tij për të fituar një Çmim Nobel për Paqe. Në margjinat e samitit, Trump do të takohet edhe me presidentin brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, për të përmirësuar marrëdhëniet me liderin e majtë pas muajsh tensioni diplomatik. Destinacioni i radhës do të jetë Tokio, ku do të takohet me Sanae Takaichi, e cila këtë javë është bërë kryeministrja e parë grua në historinë e Japonisë.

Trump e përshkroi Takaichi si “një lidere të jashtëzakonshme” dhe vlerësoi lidhjen e saj me ish-kryeministrin e ndjerë Shinzo Abe, me të cilin ai kishte marrëdhënie shumë të afërta.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta