SHBA dërgoi aeroplanmbajtësen në Karaibe, Maduro akuzon: Amerika po sajon luftë të re!

25/10/2025 07:18

Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se “po sajojnë një luftë”, pasi Uashingtoni ka dërguar aeroplanmbajtësen më të madhe në botë drejt Karaibeve, një veprim që shihet si përshkallëzim i madh i pranisë ushtarake amerikane në rajon.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, urdhëroi të premten që aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford, e cila mund të mbajë deri në 90 avionë, të largohej nga Mesdheu dhe të zhvendosej drejt Detit të Karaibeve.

“Ata po fabrikojnë një luftë të re të përjetshme,” tha Maduro për mediat shtetërore. “Premtuan se nuk do të përfshiheshin më kurrë në luftë, dhe tani po sajojnë një të tillë.”

SHBA ka rritur ndjeshëm praninë e saj ushtarake në Karaibe, duke dërguar luftanije, një nëndetëse bërthamore dhe avionë F-35, me arsyetimin se po zhvillon një fushatë kundër trafikantëve të drogës.

Në javët e fundit, ushtria amerikane ka kryer dhjetë sulme ajrore ndaj anijeve që, sipas saj, i përkisnin trafikantëve edhe një operacion të premten, gjatë të cilit, sipas Hegseth, u vranë “gjashtë narco-terroristë meshkuj”.

Operacioni u zhvillua në Detin e Karaibeve, kundër një anijeje që SHBA pretendon se i përkiste organizatës kriminale Tren de Aragua. Sulmet kanë shkaktuar kritika të ashpra në rajon, ndërsa ekspertët kanë vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e tyre.

Administrata Trump e ka përshkruar këtë fushatë si “luftë kundër trafikut të drogës”, por analistë dhe disa anëtarë të Kongresit e kanë akuzuar për një fushatë frikësimi që synon destabilizimin e regjimit të Maduros.

Maduro, një kundërshtar i vjetër i Donald Trump, është akuzuar nga presidenti amerikan se drejton një organizatë të trafikut të drogës, gjë që ai e mohon kategorikisht.

Aeroplanmbajtësja, e cila ka qenë e vendosur së fundmi në brigjet e Kroacisë, pritet të shoqërohet nga një grup goditës me shkatërrues raketash dhe anije të tjera mbështetëse.

Presidenti Trump ka paralajmëruar disa herë mundësinë e një “veprimi tokësor” në Venezuelë. CNN raportoi se ai po shqyrton sulme ndaj objekteve të prodhimit të kokainës dhe rrugëve të trafikut brenda vendit, edhe pse ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Ndërkohë, brenda SHBA-së janë ngritur shqetësime për ligjshmërinë e këtyre operacioneve. Senatorë demokratë dhe republikanë kanë kërkuar që administrata të marrë miratimin e Kongresit për përdorimin e forcës ushtarake jashtë vendit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta