Banka Ayadeh, një nga bankat më të mëdha private të Iranit, është shpallur e falimentuar nga shteti dhe asetet e saj janë transferuar, një veprim i pazakontë pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare që kanë goditur ekonominë e vendit, raportuan mediat shtetërore.

Ayadeh (“e ardhmja” në persisht) u themelua në vitin 2012 dhe kishte një rrjet prej 270 degësh në të gjithë vendin, 150 prej të cilave ishin në kryeqytetin Teheran. Institucioni financiar po përballej me kredi dhe humbje të akumuluara prej 5.4 trilion rialë (mbi 1 miliard euro) dhe 3.11 trilion rialë (rreth 6.354 miliardë euro) në kredi të pasigurta, sipas agjencisë së lajmeve Isna.

Që nga sot, Banka publike Meli (“kombëtare” në persisht) po thith asetet e Ayadeh, me vendim të Bankës Qendrore. Kjo e fundit siguroi se të gjithë individët mund të rikuperonin kreditë e tyre të transferuara në Meli Bank.

Klientët e Bankës Ayadeh “nuk duhet të kenë asnjë shqetësim”, tha pardje, të enjten, Ministri i Ekonomisë iranian Ali Mantanizadeh.

Gazeta Ham Mihan flet për “falimentimin” e Bankës Ayadeh, e cila nuk kishte kapital dhe iu desh të përdorte kredi për para në dorë.

Një zyrtar i Bankës Qendrore, Hamidreza Ghaniabadi, foli për “borxhe të dyshimta”. “Më shumë se 90% e parave të Bankës Ayadeh u ndanë ose për palë të lidhura me bankën ose për programe të menaxhuara nga vetë banka”, të cilat nuk u shlyen kurrë, theksoi ai, sipas agjencisë së lajmeve Irna.

Banka Ayadeh kishte financuar projekte luksoze si kompleksi i madh tregtar Iran Mall në Teheran, i cili paraqitet si më i madhi në botë dhe ka një pistë patinazhi në akull dhe kinema.

Nga ana e saj, Banka Meli është një nga institucionet më të mëdha bankare publike në Iran së bashku me Bankën Sepah.

Që nga vitet 1990, sektori bankar në Iran ka qenë i hapur për të huajt.

Përveç Ayadeh, pesë banka të tjera (Sharmayeh, Dai, Sepah, Iran Zamin dhe Melal) po përballen gjithashtu me probleme, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta