Kuba dorëzon baronin kinez, trafikanti i madh i fentanilit ekstradohet në SHBA pas arratisjes spektakolare

25/10/2025 07:30

Një nga “kokat” më të kërkuara të trafikut ndërkombëtar të drogës, Zhi Dong Zhang, i njohur me pseudonimet Brother Wang, Pancho dhe HeHe, është arrestuar dhe ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, duke i dhënë fund një arratisjeje spektakolare që nisi muaj më parë në Meksikë.

Qeveria kubane njoftoi të enjten se kishte ekstraduar Zhang-un në Meksikë, ndërsa autoritetet meksikane konfirmuan menjëherë dorëzimin e tij në SHBA, ku përballet me akuza për trafik droge dhe pastrim parash.

Sipas Departamentit të Drejtësisë amerikan, Zhang akuzohet për drejtimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të fentanilit dhe për pastrimin e miliona dollarëve për kartelet më të fuqishme meksikane, Sinaloa dhe Jalisco New Generation (CJNG).

Ish-agjenti i DEA-s, Mike Vigil, e përshkroi atë si “lidhjen kyçe mes karteleve meksikane dhe kompanive kineze që sigurojnë kimikatet për prodhimin e fentanilit”.

Historia e arrestimit të tij është e jashtëzakonshme: Zhang ishte arratisur nga arresti shtëpiak në Mexico City përmes një vrime në mur, kishte marrë një avion privat drejt Kubës dhe kishte tentuar të hynte në Rusi me dokumente false, por u kthye mbrapsht pasi autoritetet ruse zbuluan identitetin e tij.

Pas kthimit në Kubë, shërbimet sekrete kubane e mbajtën disa muaj në ndalim për hetime, përpara se ta dorëzonin në Meksikë, dhe më pas në SHBA.

Ekspertët besojnë se kapja e Zhang-ut do të kënaqë Uashingtonin, por nuk do të ketë ndikim të madh në tregtinë globale të drogës, pasi kartelet tashmë kanë zëvendësuar figurat kyçe të arrestuara.

Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum e quajti ekstradimin “një arritje të rëndësishme në luftën kundër fentanilit”, ndërsa administrata e Donald Trump e përshëndeti si “fitore të përbashkët kundër krimit ndërkombëtar”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta