Flamingot e Pogradecit, shpendët me pendë rozë janë ndalur në liqen gjatë rrugëtimit të tyre migrator

25/10/2025 12:24

Pamje magjike janë shënuar këto ditë në brigjet e liqenit të Ohrit në Pogradec, ku dhjetëra flamingo janë rikthyer duke i shtuar ngjyra dhe gjallëri peizazhit vjeshtor.

Shpendët elegantë me pendët rozë janë parë në zonën e Tushemishtit, ku kanë ndaluar për t’u ushqyer gjatë rrugëtimit të tyre migrator. Krijimi i minilagunave në afërsi të bregut të liqenit përgjatë viteve të fundit ka bërë që shpendët thuajse çdo vit të ndalojnë për të pushuar gjatë shtegtimit të tyre. Ky vit ka shënuar edhe numrin më të lartë të shpendëve që janë ndalur në Pogradec.

Specialistët e mjedisit e konsiderojnë këtë një dukuri të veçantë për liqenin e Ohrit, i cili po kthehet gjithnjë e më shumë në një stacion të përkohshëm për shpendët ujorë.

Flamingot zakonisht dimërojnë në lagunat e Nartës dhe Karavastasë, por vitet e fundit janë vërejtur edhe në disa zona të tjera të vendit, si shenjë e zgjerimit të habitatit të tyre.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta