Turqi/ Imamoglu përsëri në shënjestër të autoriteteve, Ankaraja e heton për spiunazh

24/10/2025 17:25

Turqia ka nisur një hetim të ri, këtë herë për spiunazh, kundër ish-kryetarit të ndaluar të Stambollit, Ekrem Imamoglu, menaxherit të tij të fushatës Necati Ozkan dhe gazetarit Merdan Yanardag, i cili është arrestuar.

Sipas Prokurorisë së Stambollit, Imamoglu dhe Ozkan, të cilët tashmë janë shkarkuar nga pozicionet e tyre dhe ndodhen në paraburgim për një rast korrupsioni, do të thirren për të dhënë dëshmi si pjesë e hetimit të ri. Gazetari Yanardag u ndalua për të njëjtën arsye.

Prokuroria pretendon se organizata e dyshuar ka marrë të dhëna personale të qytetarëve dhe informacione të votuesve nga shërbimet e inteligjencës së huaja, me qëllim përfitimi politik dhe financiar në favor të Imamoglut.

Megjithatë, opozita turke akuzon qeverinë për persekutim të qëllimshëm dhe përpjekje për të dobësuar kundërshtarët politikë përmes instrumentalizimit të gjyqësorit.

Sipas gazetës turke Hurriyet, Prokuroria e Stambollit deklaroi se provat erdhën pas shqyrtimit të materialeve dixhitale që i përkisnin Huseyin Gün, i arrestuar më 4 korrik me akuzën e spiunazhit.

Sipas autoriteteve turke, Gün ka bashkëpunuar me shtete të huaja përmes telefonatave të koduara dhe ka financuar trazira të brendshme në vende të ndryshme.

Gjatë kontrollit të pajisjeve të tij dixhitale, prokuroria thotë se u gjetën fotografi të pajisjeve dhe armëve ushtarake, që nuk mund të merren nga individë privatë, si dhe kopje pasaportash të qytetarëve izraelitë të dyshuar se janë aktivë në sektorin ushtarak ose politik.

Gün dyshohet se ka pasur kontakte me persona të hetuar për lidhje me Gylenistët dhe PKK-në, si dhe me zyrtarë diplomatikë të vendeve të huaja.

Autoritetet raportojnë gjithashtu për transferta të konsiderueshme parash, brenda dhe jashtë Turqisë, ndonëse Gün nuk kishte aktivitet tregtar aktiv, duke kryer transferta prej miliona lirash turke pa dokumente shoqëruese.

Në shënimet e tij me dorë, janë gjetur referenca për grusht shteti dhe trazira në vende të ndryshme, si dhe detaje të takimeve të tij të përditshme në Turqi.

Akuza për rrjedhje informacioni dhe manipulim zgjedhor

Sipas prokurorisë, Gün i ka përcjellë informacione shërbimeve të huaja të inteligjencës dhe ka pasur takime me Mustafa Özcan, një anëtar të FETÖ-s dhe të ashtuquajturin “Imam i Anglisë”. Autoritetet pretendojnë se Gün shkëmbente mesazhe në një aplikacion të koduar, të ngjashëm me atë që përdorej nga anëtarët e FETÖ-s.

Në njërën nga këto komunikime, një agjent i huaj i inteligjencës dyshohet se i ka dërguar një foto të bërë fshehurazi të dy ish-ministrave turq — fakt që prokuroria e përshkruan si “tregues të veprimtarisë së tij”.

Marrëdhëniet me Imamoglun dhe ekipin e tij

Prokuroria pretendon se Gün ka mbajtur kontakte me Necati Özkan, bashkëpunëtor i ngushtë i Imamoglut, përmes të njëjtit aplikacion të koduar, duke i dhënë “udhëzime” për mbledhjen e informacioneve dixhitale, aktivizimin e vullnetarëve dhe shmangien e përgjimeve gjatë takimeve të fushatës.

Sipas autoriteteve, Gün ka qenë hierarkikisht superior ndaj Özkan-it brenda një “organizate kriminale për fitim”, e cila dyshohet se drejtohej nga vetë Imamoglu.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se qëllimi i organizatës ishte të siguronte burime financiare për kandidaturën e mundshme presidenciale të Imamoglut, përmes shfrytëzimit të paligjshëm të të dhënave të votuesve dhe rrjedhjes së tyre te shërbimet e huaja të inteligjencës.

Sipas prokurorisë, gazetari Merdan Yanardag, drejtor i stacionit televiziv TELE 1, ka pasur komunikime të gjera me Gün lidhur me aktivitetet e dyshuara të spiunazhit.

Ai dyshohet se ka organizuese krahun e komunikimit të fushatës së Imamoglut, duke “përfituar” nga Gün dhe bashkëpunuar me shërbimet e huaja të inteligjencës për të ndikuar në zgjedhjet komunale të vitit 2019.

Yanardag është arrestuar si pjesë e të njëjtit hetim, ndërsa janë kryer kontrolle në banesën dhe vendin e tij të punës.

Prova dhe arrestime të reja

Zyra e prokurorit bën të ditur se Gün, tashmë i ndaluar, do të transferohet në selinë e Policisë së Stambollit për marrje në pyetje të mëtejshme, këtë herë me akuzën e “udhëheqjes së një organizate kriminale”.
Hetimi po zhvillohet në bashkëpunim me Shërbimin Kombëtar të Inteligjencës (MİT) dhe Policinë e Stambollit.

Si pjesë e hetimit paralel për të ashtuquajturën “organizatë kriminale Imamoğlu”, 15 persona të dyshuar janë marrë në paraburgim.

Autoritetet turke pretendojnë se të dhënat personale të 4.7 milionë përdoruesve janë rrjedhur në dy vende të huaja përmes aplikacionit “İstanbul Senin” (“Stambolli Juaj”), ndërsa të dhënat e 3.7 milionë qytetarëve janë shitur në rrjetin e errët (dark web).

Të dyshuarit përballen me akuza për shkelje të të dhënave personale, vepra penale tatimore dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale. Të gjithë të arrestuarit ndodhen aktualisht në paraburgim.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta