Bastiset qendra e mashtrimit online në Mianmar/ Mbi 1 mijë persona grabisnin miliarda dollarë në mbarë botën
Presidenti amerikan, Donald Trump po nis një turne të madh në Azi, që konsiderohet tepër i rëndësishëm për ekonominë globale, gjatë të cilit do të takohet edhe me Presidentin kinez, Xi Jinping.
Trump njoftoi të mërkurën një “udhëtim të madh” në Malajzi, Japoni dhe Korenë e Jugut, vizita e tij e parë në rajon në mandatin e tij të dytë.
Shtëpia e Bardhë të enjten përshkroi detajet e axhendës së Trump, duke konfirmuar kryesisht takimin e tij me Xi. Ai do të zhvillohet të enjten, më 30 tetor në Korenë e Jugut, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
“Të enjten në mëngjes, Presidenti Trump do të marrë pjesë në një takim dypalësh me Presidentin Xi të Republikës Popullore të Kinës përpara se të niset për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara”, tha të enjten zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Caroline Levitt.
Një luftë tregtare SHBA-Kinë, e cila kishte qenë në zierje për muaj të tërë, shpërtheu në fillim të këtij muaji kur Pekini zgjeroi në mënyrë dramatike kufizimet mbi eksportet e metaleve të rralla.
Trump më pas kërcënoi Kinën me tarifa hakmarrëse dhe masa të tjera, por ditët e fundit ai është dukur më optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje dypalëshe tregtare.
“Mendoj se do ta bëjmë shumë mirë dhe të gjithë do të jenë shumë të lumtur”, tha ai dje.
Kina dhe Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të zhvillojnë bisedime të reja tregtare në ditët në vijim në Malajzi, e cila po pret samitin e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) që fillon të dielën, tha dje Ministria Kineze e Tregtisë.
Të gjitha vendet që ai do të vizitojë pritet të shtrojnë tapetin e kuq për Trumpin në një përpjekje për të fituar favorin e tij dhe për të siguruar marrëveshjet më të mira të mundshme për tarifat dhe garancitë e sigurisë.
Presidenti amerikan largohet sot nga Uashingtoni për të marrë pjesë në samitin e ASEAN në Malajzi të dielën, të cilin e ka shmangur shumë herë gjatë mandatit të tij të parë, i cili do të mbahet nga 26 deri më 28 tetor.
Atje ai pritet të nënshkruajë një marrëveshje tregtare me Malajzinë dhe të marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes së paqes Tajlandë-Kamboxhia.
“Diskutime të ndershme”
Gjatë këtij samiti, Trump pritet të takohet me homologun e tij brazilian Luiz Inacio Lula da Silva.
Të dy udhëheqësit kanë filluar të zbusin mosmarrëveshjet e tyre pas muajsh tensionesh që lidhen kryesisht me gjyqin dhe dënimin e ish-presidentit brazilian të ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro, një aleat i Trump.
Donald Trump do të udhëtojë për në Japoni të hënën, ku do të takohet me kryeministren Sanae Takaichi, gruaja e parë që drejton qeverinë japoneze.
Takaichi tha se dëshiron të zhvillojë bisedime “të sinqerta” me Trump.
Tokio nënshkroi një marrëveshje tregtare me Uashingtonin në verë, megjithëse disa detaje mbeten për t’u diskutuar.
Presidenti amerikan gjithashtu dëshiron që Japonia të ndalojë importimin e energjisë ruse dhe të rrisë shpenzimet e saj të mbrojtjes.
“Të gjitha çështjet”
Por kulmi i turneut do të jetë në Korenë e Jugut, ku Trump pritet të mbërrijë më 29 tetor për samitin e APEC, në margjinat e të cilit ai do të takohet me Xi Jinping në Gyeongju.
Të mërkurën, republikani tha se shpresonte të arrinte një marrëveshje me homologun e tij kinez për “të gjitha çështjet”.
Trump do të takohet gjithashtu me homologun e tij të Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, do të mbajë një fjalim para liderëve të biznesit dhe do të marrë pjesë në një darkë për liderët e APEC-ut, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Koreja e Veriut, e cila lëshoi një tjetër raketë balistike të mërkurën, do të jetë gjithashtu në axhendë.
Trump ka thënë se shpreson të takohet me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un ndoshta këtë vit, pas tre samiteve që të dy burrat kanë mbajtur gjatë mandatit të tij të parë.
Shtëpia e Bardhë nuk ka konfirmuar raportet se një takim i tillë është planifikuar gjatë këtij udhëtimi. Por ministri i Bashkimit i Koresë së Jugut tha të martën se beson se ekziston një shans “i fortë” që presidenti amerikan të takohet me udhëheqësin e Koresë së Veriut javën e ardhshme.
Koreja e Veriut duket se “po i kushton vëmendje Shteteve të Bashkuara dhe shenja të ndryshme sugjerojnë se ekziston një mundësi e fortë për një takim”, u tha Chung Dong-yang gazetarëve.
Top Channel