Ditën e hënë Kuvendi do të zhvillojë seancë plenare, ku në agjendë parashikohen edhe raportimet e disa institucioneve të pavarura kushtetuese.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, përmes një shkrese, i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit “të shmangë provokimet ndaj opozitës duke i lënë kohë për debat”.

Sipas grupit të PD “çdo ndryshim i njëanshëm nga Kuvendi i të drejtave të deputetëve të pakicës, apo interpretimit 34 vjeçar të Rregullores së Kuvendit, është atentat ndaj parlamentarizimit dhe asgjesim i të drejtave të opozitës parlamentare, dhe për pasojë është dhe do të jetë i papranueshëm për deputetët e opozitës.”.

Letra e plotë: 

 Z. Kryetar i Kuvendit, Në vijim të urdhrit tuaj nr. 24, datë 24.10.2025, me të cilin është thirrur seanca plenare për datën 27.10.2025, ora 10:00, dhe është njoftuar rendi i ditës, ju bëjmë me dije se në rendin e ditës, në pikat 5-9, janë përfshirë raportimet e disa institucioneve të pavarura kushtetuese. Sipas dakordësisë së Konferencës së Kryetarëve, për çdo raport është përcaktuar kohëzgjatja prej 150 minutash.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, konfirmojmë kërkesën tonë për zhvillimin e debatit, brenda kohës së përcaktuar prej 150 minutash për secilin raportim.

Lutemi që të shmanget çdo provokim ndaj deputetëve të opozitës, duke lejuar secilin prej tyre të parashtrojë pyetjet dhe qëndrimet e veta për çdo institucion, në përputhje me nenin 103, pika 7 të Rregullores së Kuvendit dhe me praktikën parlamentare 34-vjeçare.

Çdo ndryshim i njëanshëm i këtyre të drejtave, apo interpretim arbitrar i Rregullores së Kuvendit, do të konsiderohet cenim i parimeve të parlamentarizmit dhe kufizim i padrejtë i të drejtave të opozitës, gjë që do të ishte e papranueshme për përfaqësuesit tanë.

Për këtë arsye, në ushtrim të përgjegjësive tuaja, ju kërkojmë të ndërmerrni masa për normalizimin e jetës parlamentare dhe të ndaloni menjëherë çdo akt provokues ndaj opozitës, duke garantuar një sjellje konstruktive e dinjitoze në punimet e Kuvendit të Shqipërisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta