Tavolina me rreze X, syze të teknologjisë së lartë dhe lojtarë të NBA si ‘karrem’, ja si u vodhën miliona dollarë në lojëra pokeri të organizuara familjet e mafia në SHBA

24/10/2025 10:06

Personazhe të famshëm, yje të sporteve dhe lojtarë të pasur u ulën në një tavolinë duke shpresuar të fitonin shumë në një lojë Pokeri.

Por ata nuk e dinin se ishte pothuajse e pamundur. Ata ishin “peshq” që dyshohet se ishin shënjestruar nga mafia në një skemë të hollësishme lojërash fati pokeri që përfshinte tavolina me karta me rreze X, kamera sekrete, analizues në tabaka me çipa dhe syze dielli dhe lente kontakti që mund të lexonin dorën e tyre.

Në atë që tingëllon si një komplot i filmit Ocean’s Eleven, prokurorët thonë se këto viktima “të pavetëdijshme” u mashtruan duke marrë të paktën 7 milionë dollarë në lojëra pokeri dhe një person humbi të paktën 1.8 milionë dollarë.

Skema, të cilën prokurorët amerikanë e përshkruan si një film hollivudian, u shkatërrua në një hetim të gjerë federal që çoi në më shumë se 30 arrestime, përfshirë anëtarë të familjeve kriminale të La Costra Nostra, trajnerin e basketbollit të Portland Trail Blazers, Chauncey Billups dhe ish-lojtarin e Shoqatës Kombëtare të Basketbollit (NBA), Damon Jones.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, e quajti atë një skemë mashtrimi “të pabesueshme” që mashtroi viktimat në New York, Miami, Las Vegas dhe qytete të tjera të SHBA-së.

Arrestimet në skemë u njoftuan të enjten së bashku me ata në një komplot të dyshuar për baste në basketboll, në të cilin lojtarët profesionistë të NBA-së akuzohen për falsifikim të lëndimeve për të ndikuar në shanset e basteve.

Skema nëntokësore e pokerit filloi që në vitin 2019, thonë prokurorët, dhe dyshohet se u drejtua nga mafia, konkretisht nga anëtarë të familjeve famëkeqe të krimit, përfshirë Bonnano, Gambino, Luchesse dhe Genovese. Një pjesë e fitimeve, ndihmoi në financimin e sipërmarrjes së tyre kriminale.

Ish-atletët profesionistë, të përshkruar nga prokurorët si “karta fytyre”, u rekrutuan për të ndihmuar në skemë dhe për të joshur viktimat të luanin.

I joshur nga mundësia për të luajtur me një personazh të famshëm të profilit të lartë, si Billups ose Jones, një “viktimë e pasur, e pavetëdijshme” do të rekrutohej për lojëra pokeri të paligjshme, nëntokësore, ku dhjetëra mijëra dollarë ishin në lojë, pretendojnë prokurorët.

Pa dijeninë e lojtarëve të joshur, të cilët në skemë quheshin “peshk”, të gjithë ata që i rrethonin ishin të përfshirë në mashtrim nga lojtarët te shpërndarësit, madje edhe teknologjia e përdorur për të përzier letrat dhe për të numëruar çipat, sipas një padisë federale.

Teknologjia e sofistikuar u përdor gjithashtu për të mashtruar lojtarët gjatë lojërave, më së shpeshti në Texas Hold ‘Em Poker.

Teknologjia ishte kudo, një tabelë me rreze X që lexonte çdo letër të kthyer përmbys, analizues brenda tabakave të çipave, një makinë e manipuluar për përzierjen e letrave që lexonte letrat dhe parashikonte se kush do të kishte dorën më të mirë dhe letra të paracaktuara që u lejonin atyre që mbanin syze dielli dhe lente kontakti speciale të lexonin se çfarë ishte në duart e të gjithëve.

Kamerat sekrete të integruara në tavolina dhe pajisje ndriçimi gjithashtu ndihmuan në transmetimin e informacionit tek ata që ndihmonin në komplot, thonë autoritetet.

Pastaj kishte edhe një metodë të sofistikuar për të komunikuar dhe manipuluar lojën, pretendojnë prokurorët.

Informacioni nga loja do t’i dërgohej një konspiratori jashtë vendit, të quajtur “operator” nga prokurorët, i cili më pas do t’i dërgonte informacion një lojtari tjetër që ishte ulur në tavolinë dhe që ishte i përfshirë në skemë, të cilin prokurorët e quajnë “quarterback” ose “shofer”.

Ky person më pas do t’u sinjalizonte fshehurazi të tjerëve, pretendojnë prokurorët, duke vjedhur në mënyrë efektive para dhe duke ua bërë të pamundur viktimave të fitonin.

Autoritetet vlerësojnë se çdo lojë do të linte një viktimë pa dhjetëra ose qindra mijëra dollarë.

Prokurorët thonë se të pandehurit dyshohet se i kanë pastruar fondet nga skema përmes kriptomonedhave, shkëmbimeve të parave të gatshme dhe kompanive fiktive.

Një pjesë e fitimeve shkoi për ata që ndihmuan në komplot, thonë prokurorët dhe disa dyshohet se shkuan për të financuar ndërmarrjen kriminale të mafies.

“Kjo skemë e dyshuar shkaktoi kaos në të gjithë kombin, duke shfrytëzuar famën e disave dhe portofolet e të tjerëve për të financuar familjet italiane të krimit”, tha Ndihmës Drejtori i Përgjegjshëm i FBI-së, Christopher Raia.

Billups, i cili u akuzua se ishte një bashkëpunues në lojërat e kurdisura me letra, u arrestua në Portland dhe u pezullua nga NBA. Portland Trail Blazers thanë në një deklaratë se ishin në dijeni të akuzave që përfshinin trajnerin e tyre kryesor dhe po “bashkëpunonin plotësisht me hetimin”.

Jones u arrestua në lidhje me skemën e pokerit dhe të lëndimeve në NBA. Ai akuzohet për dy akuza secila, për komplot mashtrimi dhe komplot pastrimi parash.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta