Stuhia Benjamin përshkon Evropën Perëndimore/ Përmbytje, dëme të shumta dhe një vdekje në Korsikë
Uashingtoni ka vendosur sanksione ndaj Presidentit kolumbian Gustavo Petro, duke e akuzuar atë se nuk pranon të ndalojë rrjedhën e kokainës në Shtetet e Bashkuara, duke rritur presionin mbi udhëheqësin e vendit latino-amerikan, i cili është përplasur me Presidentin e SHBA-së Donald Trump.
“Që kur Presidenti Gustavo Petro mori detyrën, prodhimi i kokainës në Kolumbi është rritur ndjeshëm në nivelin më të lartë në dekada, duke përmbytur Shtetet e Bashkuara dhe duke helmuar amerikanët”, tha Sekretari i Thesarit Scott Bessant.
“Presidenti Petro lejoi që kartelet e drogës të lulëzonin dhe refuzoi ta ndalonte këtë aktivitet. Sot, Presidenti Trump po ndërmerr veprime të forta për të mbrojtur kombin tonë dhe për ta bërë të qartë se nuk do ta tolerojmë trafikimin e drogës në vendin tonë”, shtoi ai.
Petro, në një postim në Platformën X, tha se është përpjekur të luftojë trafikimin e drogës për dekada të tëra.
“Lufta ime e pandërprerë kundër trafikimit të drogës për dekada më ka sjellë këtë masë nga qeveria e një vendi që vetë e kemi ndihmuar aq shumë për të frenuar konsumin e kokainës. Është krejtësisht paradoksale — por ne nuk do të bëjmë asnjë hap prapa dhe nuk do të gjunjëzohemi kurrë,” theksoi ai.
Emri i Petros i bashkohet një liste udhëheqësish botërorë ndaj të cilëve Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione, përfshirë Presidentin Venezuelian Nicolas Maduro dhe Presidentin rus Vladimir Putin.
Sanksione u vendosën gjithashtu ndaj gruas dhe djalit të Petros, si dhe Armando Benedetti-t, ministrit të brendshëm të Kolumbisë.
Trump kërcënoi të rriste tarifat ndaj Kolumbisë gjatë fundjavës dhe njoftoi të mërkurën se do të ndërpriste të gjithë ndihmën për vendin.
Top Channel