Princi Andrew drejt dëbimit nga “Royal Lodge”/ Mbretit Charles i soset durimi, pallati kërkon largimin pas skandalit Epstein

24/10/2025 20:50

Princi Andrew raportohet se është në bisedime të avancuara me ndihmësit e lartë të mbretit Charles për të lënë shtëpinë e tij në “Royal Lodge”, pas një jave ku marrëveshja e tij e qirasë simbolike është vënë në qendër të vëmendjes.

Presioni ndaj familjes mbretërore është shtuar për largimin e Andrew nga rezidenca 30-dhomëshe në Windsor Great Park, mes polemikave të vazhdueshme për lidhjet e tij me pedofilin Jeffrey Epstein dhe publikimit pas vdekjes të kujtimeve të akuzueses së tij për sulm seksual, Virginia Giuffre.

Komiteti i Llogarive Publike ka konfirmuar se do t’i drejtohet Crown Estate dhe Thesarit pas zbulimeve se princi kishte paguar 1 milion paund për qiranë e pronës në vitin 2003 dhe ishte detyruar të kryente rikonstruksione prej 7.5 milionë paundësh, por që më pas ka paguar vetëm “një kokërr piper” si qira simbolike nëse kërkohej çdo vit.

Sipas The Telegraph, Buckingham Palace po përpiqet të ushtrojë presion që Andrew të largohet vullnetarisht nga prona, megjithëse ai nuk mund të dëbohet ligjërisht për shkak të një kontrate “të hekurt” me Crown Estate. Bisedimet për qëndrimin e tij janë zhvilluar çdo ditë këtë javë, ndërsa burime pranë pallatit flasin për një “vendosmëri të re” për ta detyruar të largohet.

Fillimisht, Andrew ka refuzuar të dorëzohet, duke këmbëngulur se është i drejtë të jetojë atje deri në vitin 2078, por negociatat po vijojnë dhe duket e pashmangshme që ai do të largohet. Nëse ndodh kjo, ai do të ketë të drejtë për 558 mijë paund kompensim.

Një tjetër pikëpyetje mbetet se ku do të vendoset ai dhe ish-bashkëshortja e tij Sarah Ferguson, e cila gjithashtu banon në “Royal Lodge”. Burime mbretërore theksojnë se Mbreti Charles i ka ndërprerë ndihmat financiare të vëllait të tij vitin e kaluar, duke e lënë të paqartë se si Andrew do të përballojë koston e qirasë në të ardhmen.

Familja mbretërore u përpoq të mbyllte kapitullin e lidhjeve me Epstein kur Andrew njoftoi javën e kaluar se do të hiqte dorë vullnetarisht nga përdorimi i titujve dhe nderimeve, përfshirë edhe atë të Dukës së York-ut. Megjithatë, ka thirrje që titujt t’i hiqen përfundimisht, çka do të kërkonte ndërhyrje ligjore.

Ky vendim erdhi pak pasi u publikuan e-mailet e vitit 2011 ku Andrew i shkruante Epstein-it: “Ne jemi bashkë në këtë”, vetëm tre muaj pasi kishte deklaruar publikisht se kishte ndërprerë çdo kontakt me të.

Ngjarjet ndodhën paralelisht me publikimin e librit të Giuffre, “Nobody’s Girl”, ku ajo përsëriti pretendimet se ishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale me Andrew tre herë — akuza që princi i ka mohuar kategorikisht. Ai kishte paguar miliona për të mbyllur çështjen civile në vitin 2022, pa pranuar fajësi.

Virginia Giuffre ndërroi jetë në prill të këtij viti, në moshën 41-vjeçare.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta