Gazetari kroat publikon fotot dhe videot e Vuçiç, presidenti serb akuzohet se ishte pjesë e një grupi snajperistësh që vriste civilë boshnjakë në Sarajvë
Vazhdojnë polemikat në Greqi për monumentin e Ushtarit të Panjohur në sheshin Sintagma të Athinës, dy ditë pas miratimit të një ligji nga shumica konservatore e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, i cili ndalon zhvillimin e protestave pranë këtij monumenti-ikonë, që ndodhet jashtë parlamentit dhe ka shërbyer shpesh si pikë referimi për demonstrata.
Amendamenti ka shkaktuar kritika të ashpra nga partitë opozitare, të cilat akuzojnë qeverinë për mungesë tolerance dhe për nxitje të përçarjes në shoqëri.
Sipas kryeministrit Mitsotakis, ndryshimet e reja transferojnë përgjegjësinë për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e monumentit tek Ministria e Mbrojtjes, duke synuar “të mbrojnë dhe forcojnë normalitetin”.
Sheshi përpara monumentit është shndërruar kohët e fundit në vend takimi për familjarët e viktimave të tragjedisë hekurudhore të Tempit, që ndodhi më 28 shkurt 2023. Aty është ngritur një memorial i përkohshëm, me emrat e viktimave të shkruar me bojë të kuqe në tokë, të rrethuar me qirinj dhe lule.
Për 23 ditë, një prej prindërve të viktimave, Pano Ruci, me origjinë shqiptare, zhvilloi grevë urie, duke mbledhur çdo ditë rreth tij qindra e mijëra qytetarë që kërkojnë drejtësi për aksidentin tragjik ku humbën jetën 57 persona, shumica studentë.
Sipas amendamentit, qasja publike në monument mbetet e hapur për vizitorët, por protestat apo çdo ndryshim fizik në zonë do të jenë të ndaluara. Shkelësit mund të përballen me gjobë ose deri në një vit burgim.
Ndërkohë, me këtë ndryshim ligjor, përgjegjësia për pastrimin e sheshit dhe monumentit të Ushtarit të Panjohur i kalon Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ia ka deleguar këtë detyrë një kompanie private.
Ky vendim ka sjellë përplasje me Bashkinë e Athinës, e cila më parë kishte përgjegjësinë për mirëmbajtjen e zonës.
Kryebashkiaku Haris Dukas, i mbështetur nga socialistët dhe e majta, ka deklaruar se do të kërkojë drejtësi në institucionet përkatëse për atë që e cilëson si një vendim të padrejtë dhe politikisht të motivuar.
Top Channel