Votuesit në Irlandë i janë drejtuar sot kutive të votimit për të zgjedhur presidenten e re të vendit, pasi gara ështe mes dy grave.
Sondazhet e fundit parashikojnë një fitore të qartë për kandidaten e pavarur të majtë, Catherine Connolly.
Sipas sondazhit të publikuar të enjten i jep Connolly-t 40% të mbështetjes, përballë 25% të rivales së saj kryesore, ish-ministres së kabinetit Heather Humphreys. Pas rishikimit të të pavendosurve, Connolly pritet të marrë rreth 55% të votave, kundrejt 35% të Humphreys.
Në moshën 68-vjeçare, Connolly shihet si favorite për të pasuar presidentin aktual Michael D. Higgins, i cili po përfundon mandatin e tij të dytë, dhe për t’u bërë presidentja e 10-të në historinë e Irlandës.
Megjithatë, gjysma e votuesve kanë deklaruar se nuk ndihen të përfaqësuar nga asnjë prej kandidatëve, çka ka ngritur shqetësime për pjesëmarrje të ulët dhe numër të lartë të fletëvotimeve të pavlefshme.
Presidenca irlandeze ka rol kryesisht ceremonial, por një fitore për Connolly-n do të përbënte një goditje të fortë për qeverinë aktuale të qendrës së djathtë. Ajo ka marrë mbështetjen e një spektri të gjerë partish opozitare, Sinn Féin, Laburistët, Social Demokratët, Populli Para Fitimit dhe Të Gjelbrit, të cilat kanë bashkuar forcat për herë të rrallë.
E njohur për qëndrimet e saj të forta ndaj drejtësisë sociale, krizës së strehimit dhe politikës së jashtme etike, Connolly ka fituar popullaritet të madh te të rinjtë përmes rrjeteve sociale dhe podkasteve virale.
Në fushatën e saj, ajo ka kërkuar të ruajë neutralitetin irlandez dhe ka kritikuar rritjen e shpenzimeve ushtarake në Europë. Kritikët e kanë cilësuar si radikale, duke paralajmëruar se mund të tensionojë marrëdhëniet me aleatët evropianë.
Rrjedha e ngjarjeve ka ndihmuar kandidaturën e Connolly-t, pasi disa kandidatë të mundshëm të profilit të lartë – përfshirë Bob Geldof, Michael Flatley dhe Conor McGregor, nuk arritën të siguronin nominimin e nevojshëm për t’u futur në garë.
Ndërkohë, kampi qeveritar ka pësuar goditje pas tërheqjes së kandidatit të Fianna Fáil, Jim Gavin, për shkak të një skandali financiar, dhe problemeve shëndetësore që detyruan Mairead McGuinness të Fine Gael të largohej nga gara.
Connolly dhe Humphreys përmbyllën fushatën të enjten në Galway dhe Clare, me të dyja kandidatët që i bënë thirrje qytetarëve të dalin në votime.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në 22:00, ndërsa rezultati pritet të shpallet të shtunën. Elektorati me të drejtë vote në Irlandë arrin në 3.6 milionë persona.
Top Channel