Derbi Inter-Milan luhet edhe në merkato, dy klubet italiane futen në garë për shërbimet e mbrojtësit të Bayernit

24/10/2025 19:37

Merkatoja e janarit pritet të ndezë një tjetër duel mes dy klubeve të mëdha të Milanos.

Interi dhe Milani po përgatiten të rivalizojnë për shërbimet e Kim Min-Jae, ish-qendërmbrojtësit të Napolit që aktualisht luan te Bayern Munich, raportojnë mediat gjermane.

Mbrojtësi 28-vjeçar, i lindur në vitin 1996, shihet si një nga mbrojtësit më të kompletuar në Europë. Me përvojën e tij në Serie A dhe cilësitë fizike e teknike, ai përbën një mundësi ideale për skuadrat që kërkojnë të forcojnë prapavijën për garën e Scudettos.

Te Interi, nevoja për një qendërmbrojtës të ri është e qartë, pasi De Vrij dhe Acerbi po i afrohen fundit të karrierës. Drejtuesit Ausilio dhe Marotta e shohin Kim-in si pasuesin e duhur për të ndërtuar mbrojtjen e së ardhmes. Megjithatë, sipas gazetarit Matteo Moretto, transferimi nuk është aktualisht i realizueshëm për shkak të pagës së lartë të lojtarit. Interi, për momentin, është kufizuar vetëm në një “vlerësim të thjeshtë” të situatës.

Në anën tjetër, Milani po kërkon të shtojë përvojë në mbrojtjen me tre lojtarë që ka sjellë stabilitet këtë sezon. Klubi kuqezi kërkon një figurë të fortë që të udhëheqë linjën mbrojtëse, dhe Kim shihet si opsioni ideal nëse skuadra mbetet në garë për titull në janar.

Te Bayern, Kim Min-Jae nuk ka arritur të sigurojë vend titullari nën drejtimin e trajnerit Vincent Kompany. Deri më tani, ai ka luajtur vetëm tetë ndeshje këtë sezon, tre prej tyre si titullar, dhe kjo pakënaqësi mund të hapë rrugën për një largim në merkaton dimërore. Mbrojtësi korean ka kontratë deri në vitin 2028 dhe përfiton një pagë prej rreth 7 milionë eurosh neto në vit, çka përbën pengesën kryesore për klubet italiane.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta