Tatuazhi që i ngjante simbolit nazist shkaktoi polemika të shumta, kandidati për Senatin e amerikan kërkon falje

23/10/2025 08:43

Kandidati demokrat për Senatin amerikan në shtetin e Maine, Graham Platner, ka kërkuar falje publikisht dhe ka hequr një tatuazh në gjoks që i ngjante një simboli nazist, pas reagimeve të ashpra në rrjetet sociale dhe dorëheqjes së stafit të tij politik.

41-vjeçari, një veteran i Marinës amerikane, tha se nuk e dinte që tatuazhi i tij me kafkë dhe kocka të kryqëzuara kishte ngjashmëri me simbolin nazist Totenkopf, të përdorur nga forcat SS gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Absolutisht nuk do ta kisha pasur këtë në trup nëse do ta dija se çfarë përfaqësonte,” tha ai për BBC. “E kam mbuluar tashmë tatuazhin me një dizajn të ri.”

Tatuazhi u bë i dukshëm në një video virale, ku Platner shihej duke kërcyer me të brendshme në dasmën e vëllait të tij.

Pas publikimit të videos, ish-drejtoresha e tij politike Genevieve McDonald dha dorëheqjen, duke e quajtur tatuazhin “antisemit” dhe “të papranueshëm”.

Platner tha se tatuazhin e kishte bërë në Kroaci në vitin 2007, ndërsa shërbente në ushtri, dhe se e kishte zgjedhur në mënyrë spontane, “nga muri i sallonit, ndërsa pinin”.

“Ishte një zgjedhje e çastit, një kafkë me kocka të kryqëzuara që dukej tmerruese. Në atë kohë nuk kisha asnjë ide për ndonjë lidhje historike me nazistët”, shpjegoi ai.

Ekipi i tij fushatës theksoi se mjekët ushtarakë e kishin verifikuar tatuazhin në të kaluarën dhe nuk kishin ngritur shqetësime, duke kujtuar se ushtria ndalon tatuazhet që përmbajnë simbole urrejtjeje.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta