
Forcat amerikane kanë vrarë tre persona në një sulm ajror ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në Oqeanin Paqësor, njoftoi Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth.
Asnjë pjesëtar amerikan nuk është lënduar në operacionin e së mërkurës, që shënon sulmin e dytë të këtij lloji në më pak se 24 orë.
Sulmi vjen pas një goditjeje të ngjashme të martën, ku u vranë dy persona. Të dyja anijet besohet se transportonin drogë përgjatë rrugëve të njohura të trafikimit në ujërat ndërkombëtare.
Hegseth tha se sulmet janë pjesë e një operacioni të gjerë të urdhëruar nga Presidenti Donald Trump për të luftuar organizatat që ai i quajti “narko-terroriste”.
“Këta nuk janë vetëm trafikantë droge, këta janë terroristë që sjellin vdekje dhe shkatërrim në qytetet tona. Sulmet do të vazhdojnë, ditë pas dite,” shkroi Hegseth në rrjetin X.
Në postimin e tij u publikua edhe një video që tregon një anije duke marrë flakë pas një goditjeje ajrore, e ndjekur nga një shpërthim i dytë që duket se synon objektet lundruese në det.
Presidenti Trump tha se ka autoritetin për të urdhëruar sulme ndaj anijeve në ujërat ndërkombëtare dhe se mund të kërkojë miratimin e Kongresit vetëm nëse operacionet zgjerohen në tokë.
“Na lejohet ta bëjmë këtë, dhe nëse e bëjmë nga toka, atëherë do të kthehemi në Kongres,” tha ai në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë.
Sipas Pentagonit, këto ishin sulmet e teta dhe të nënta kundër anijeve të dyshuara për drogë që nga 2 shtatori, dhe të parat në Oqeanin Paqësor. Deri tani, 37 persona janë vrarë në këto operacione, shumica në ujërat e Karaibeve.
Top Channel