Gjatë një sulmi rus me dronë janë vrarë dy gazetarë ukrainas dhe është plagosur një koleg i tyre në lindje të Ukrainës, sulm që sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ishte pjesë e “sulmeve të qëllimshme” ndaj gazetarëve.

Freedom Media, një organizatë mediatike ukrainase e financuar nga shteti, tha se ekipi i tyre u godit nga një dron rus i llojit Lancet ndërsa ndodhej në makinën e tyre në një stacion karburanti, në Kramatorsk, në lindje të Ukrainës.

Kjo media, që publikon lajme në gjuhën ruse, tha se gazetarët e vrarë ishin Olena Gramova, 43-vjeçare nga rajoni i Donjeckut dhe Yevgen Karmazin, 33 vjeç nga Kramatorsku. Ndërkaq, gazetari Alexander Kolychev është dërguar në spital për trajtim.

“Këto nuk janë aksidente apo gabime, por një strategji e qëllimshme ruse për të heshtur të gjitha zërat e pavarur që raportojnë për krimet e luftës së Rusisë në Ukrainë”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale.

Sulmi i së enjtes ndodhi pasi një korrespondent i një media shtetërore ruse u vra në një sulm me dron ukrainas në pjesën e rajonit të Zaporizhjës, të pushtuar nga Moska.

Më herët këtë muaj, fotoreporteri francez Antoni Lallican u vra gjatë raportimit afër vijës së frontit në rajonin e Donjeckut.

Që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës më 2022, disa gazetarë janë vrarë teksa kanë qenë duke mbuluar luftën, megjithëse numri i saktë i viktimave ndryshon në varësi të organizatave monitorues.

Reporterët pa Kufij thanë se Lallican ishte gazetari i 14-të i vrarë nga ushtria ruse, ndërsa UNESCO njoftoi se ai ishte të paktën punonjësi i 23-të i mediave që ishte vrarë gjatë mbulimit të luftës në dy anët e frontit./REL

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta