
“Kolltuku” është projekti i fundit i artistit Naun Shundi, me një rol që e luajti pak muaj para ndarjes nga jeta, teksa luftonte me sëmundjen e pashërueshme.
“Që kur e mori përsipër si projekt, që të bësh një film në gjendje që Bebi ishte, në prag të një lufte me një sëmundje të keqe, ishte një aventurë për mua. Por, ai zgjodhi që të bënte këtë lloj jete, të ishte deri në pasionin dhe në atë që ai dinte të bënte shumë mirë me dinjitet”, tha Raimonda Shundi.
Filmi me metrazh të shkurtër është një komedi e zezë që bën bashkë aktorë të mëdhenj të kinematografisë, si Zamira Kita, Niko Kanxheri dhe Romir Zalla, nën regjinë e Enxhi Rasës, që me këtë projekt prezantohet për herë të parë te publiku shqiptar.
“Kolltuku është një projekt shumë i rëndësishëm për mua, sepse është puna ime e parë pas përfundimit të studimeve në Rumani, por ky film merr edhe një dimension tjetër për shkak se është vepra e fundit e aktorit Naun Shundi. Naunin e humbën para dis muajsh dhe ai nuk arriti ta shihte filmin të përfunduar. Gjatë xhirimeve, e kuptova që Naun Shundi nuk ndihej mirë nga ana shëndetësore, por asnjëherë nuk e kuptova që kishte një sëmundje kaq të rëndë”, u shpreh aktorja Enxi Rasa.
Premiera e filmit mbrëmjen e së mërkurës, u kthye në një ‘in memoriam’ për dramaturgun Naun Shundi.
“Puna me të ka qenë shumë e thjeshtë, shumë e bukur, shumë frytdhënëse. Brenda heshtjes së tij, realizoi një figurë shumë të mirë dhe neve na ka mbështetur, na ka ndihmuar, mua personalisht pasi ishim burrë dhe grua në film. Më vjen shumë keq që nuk është sot që t’i thoshim një bravo të madhe dhe një faleminderit Naun Shundi”, tha Zamira Kita-aktore.
“Kolltuku” vendos përball dy botë dhe dy kohë, që përcillen përmes personazhit kryesor Aurës së dashuruar me kolltukun e saj komunist.
“Është një trio shumë interesante që bashkon realitetin, aktualitetin e ditëve të sotme me të shkuarën tonë komuniste“, u shpreh Romir Zalla-aktor.
Top Channel