Pas sanksioneve të Trump ndaj kompanive ruse të naftës, BE miraton paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Rusisë

23/10/2025 10:13

Vendet e BE-së miratuan sot paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, e cila përfshin një ndalim gradual të importit të gazit natyror rus.

27 shtetet anëtare e kishin miratuar paketën të mërkurën në mbrëmje, pasi Sllovakia u tërhoq dhe ra dakord ta mbështeste atë.

“Kjo është një paketë e rëndësishme që synon rrjedhat kryesore të të ardhurave të Rusisë përmes masave të reja energjetike, financiare dhe tregtare”, tha Danimarka, e cila mban presidencën e BE-së.

Ndalimi i importit të gazit natyror të lëngshëm rus do të hyjë në fuqi në dy faza: kontratat afatshkurtra do të skadojnë pas gjashtë muajsh dhe kontratat afatgjata më 1 janar 2027.

Paketa e re e sanksioneve përfshin gjithashtu një mekanizëm për të kufizuar lëvizjen e diplomatëve rusë brenda BE-së, thuhet në deklaratë.

Paketa “shënjestron bankat ruse, bursat e kriptomonedhave, subjektet në Indi dhe Kinë, ndër të tjera”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaia Kallas, në një postim në X.

“BE-ja po kufizon lëvizjen e diplomatëve rusë për të kundërshtuar përpjekjet e destabilizimit. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për Putin të financojë këtë luftë”, tha ajo.

Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, tha se ndalimi i importit të LNG-së ishte një hap i rëndësishëm drejt shkëputjes së plotë të BE-së nga energjia ruse.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta