Kriza e urisë ende ‘katastrofike’ në Gaza, kreu i OBSH: Sasia e ushqimit e pamjaftueshme dhe uria nuk po ndalet

23/10/2025 19:27

Kriza e urisë në Gaza vazhdon të jetë “katastrofike” dy javë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, deklaroi Agjencia e Shëndetësisë e OKB-së, ndërsa organizatat humanitare i bënë thirrje Izraelit të ndalojë bllokimin e dërgesave humanitare drejt territorit të rrethuar.

Furnizimet që po hyjnë nuk përmbushin nevojat ushqimore të banorëve, sipas grupeve të ndihmës dhe Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së (WFP), i cili njoftoi se volumet e dërgesave janë shumë më të ulëta se objektivi prej 2,000 tonësh në ditë, për shkak të hapjes së vetëm dy kalimeve kufitare.

“Sasia e ushqimeve që hynë është e pamjaftueshme, dhe uria nuk po ndalet,” tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sipas OKB-së, një në katër banorë të Gazës po përballen me uri ekstreme, përfshirë mbi 11,500 gra shtatzëna. Kequshqyerja pritet të ndikojë mbi breza të tërë, me ndikime serioze shëndetësore dhe sociale, ndërsa çmimet e ushqimeve kanë pësuar rritje drastike.

Një grup prej 41 organizatash humanitare, përfshirë Oxfam dhe Këshillin Norvegjez për Refugjatët, denoncuan bllokimin e dërgesave nga Izraeli, duke raportuar refuzimin e 99 kërkesave për ndihmë nga organizatat ndërkombëtare midis 10 dhe 21 tetorit.

Në vendimin e fundit, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë theksoi detyrimin e Izraelit për të siguruar nevojat themelore të popullsisë së Gazës. Megjithatë, grupet humanitare thonë se ndihma është e pamjaftueshme dhe kërkojnë qasje më të madhe për shpërndarjen e saj.

Lufta në Gaza ka shkaktuar deri më tani mbi 68 mijë viktima dhe ka plagosur mbi 170 mijë persona, sipas autoriteteve palestineze, ndërsa sulmet e Hamasit më 7 tetor kanë lënë më shumë se 1,100 të vrarë dhe mbi 200 të marrë robër në Izraelin jugor.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta