
Gazetarja e emisionit investigativ, Inside Story, Esmeralda Keta, është vlerësuar nga EU4Green për Gazetari të Gjelbër për kontributin e saj në rritjen e ndërgjegjësimit mbi mbrojtjen e mjedisit dhe tranzicionin e gjelbër në Ballkanin Perëndimor.
Investigimi i gazetares, “‘Zemra Blu’ në Rrezik: Masakër Mjedisore në Parkun Kombëtar”, që zbulon kërcënimet alarmante që po përballon lumi Vjosë, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës, u shpall fitues nga projekti EU4Green që mbështet Ballkanin Perëndimor në zbatimin e Axhendës së Gjelbër.
“Është një punë e bërë me përkushtim, me shumë dashuri, së bashku me të gjithë ekipin e ‘Inside Story’. Për disa ditë kemi qenë në terren, kemi qenë në vendin e depozitimit të mbetjeve buzë lumit Vjosa, kemi qenë atje ku gërryhet, ku merren inertet, atje ku derdhen mbetjet e naftës. Ky emision është një këmbanë alarmi për mjedisin, që është çatia jonë e përbashkët”, thotë gazetarja.
Me guxim dhe saktësi, Esmeralda ekspozoi shkeljet e ligjeve mjedisore brenda një parku kombëtar, duke u kujtuar institucioneve dhe qytetarëve se mbrojtja e natyrës është përgjegjësi e përbashkët, thekson EU4Green. Përmes punës së saj, Esmeralda dëshmon se gazetaria mund të jetë një mjet i fuqishëm për ruajtjen e mjedisit
Investigimi i realizuar nga gazetarja Esmeralda Keta dhe ekipi i “Inside Story”, i transmetuar në ekranin e Top Channel në qershor të këtij viti ekspozoi shkatërrimin e Vjosës, që është shpallur Park Kombëtar, por këtë mbrojtje e gëzon vetëm në letër.
Punime të tilla, të bëra me profesionalitet për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës, do të mbeten në fokus të emisionit investigativ, premton Keta: “Do të mbetemi te çështjet që kanë në fokus mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”.
Top Channel