
Nuk kanë të ndalur thyerjet e rekordeve nga më të çuditshmet në këtë mesjavë të Ligës së Kampioneve ku skuadrat më të mëdha me yjet e tyre, kanë zbritur në fushë për të treguar potencialin që kanë.
Kështu Harry Kane ka vendosur një rekord mahnitës që as Cristiano Ronaldo dhe as Lionel Messi nuk e kanë arritur ndonjëherë. Kane po shijon një sezon jashtëzakonisht produktiv me Bayern Munich këtë edicion. Para ndeshjes së Ligës së Kampionëve të së mërkurës kundër Club Brugge, ai kishte shënuar 19 gola në 11 ndeshje në të gjitha garat.
Yllit anglez iu deshën vetëm 14 minuta për të realizuar golin e tij të 20-të të sezonit. Ai shtyu topin në rrjetë nga shumë pranë portës për të dyfishuar epërsinë e skuadrës së tij. Goli i tij i 20-të në vetëm 12 ndeshje është shifra më e lartë e arritur ndonjëherë në raportin numër ndeshjesh dhe numër golash. Kjo do të thotë se ai e ka arritur kuotën e 20 golave më shpejt se sa Ronaldo dhe Messi ndonjëherë në karrierat e tyre, sipas Opta.
Rekordin më të shpejtë për shënimin e 20 golave Lionel Messi e ka për 17 ndeshje, gjë që e ka bërë në tre raste të ndryshme. Sa i përket Ronaldos, atij i janë dashur 13 ndeshje në sezonin 2014/2015 për të arritur në kuotën e 20 golave. Kane, i cili ka shënuar në tetë ndeshje radhazi për herë të parë në karrierë, ka arritur 20 gola në vetëm 12 ndeshje, duke theksuar statusin e tij si një ndër sulmuesit më të frikshëm në Europë. Ai është lojtari i parë në dhjetë ligat kryesore të Evropës që e arrin këtë shifër. Për krahasim, “makineria e golave” e Manchester City, Erling Haaland, i cili gjithashtu po kalon një formë të shkëlqyer, ka shënuar 15 gola këtë sezon deri më tani.
Top Channel