
Teatri “Bylis” në Fier ka mirëpritur mbrëmjen e djeshme një nga komeditë më të suksesshme të skenës shqiptare, “Gruaja e burrit tim”, nën regjinë e Kiço Londos.
Salla ishte e tejmbushur me spektatorë që shijuan me shumë entuziazëm një mbrëmje plot të qeshura dhe emocione. Në fillim të shfaqjes, dy gra, pa e ditur për njëra-tjetrën, telefonojnë policinë për të raportuar zhdukjen e burrit të tyre.
Në fakt, burri është shtruar në spital pasi ka pësuar një sulm, teksa ka tentuar të mbrojë një zonjë të moshuar nga dy banditë. Nga ai moment, fillon një seri situatash plot keqkuptime dhe gënjeshtra komike, ndërsa taksisti përpiqet të fshehë sekretin e tij të madh, bigaminë.
Falë një trupe aktorësh të përzgjedhur me kujdes, interpretimet e Denada Llanajt, Eglein Laknorit dhe kolegëve të tjerë e mbushën sallën me energji, ritëm dhe humor të rafinuar.
“Ishte një mbrëmje prekëse për mua, në një qytet ku kam nisur zanafillën time në fushën e teatrit. Ndihem i emocionuar dhe i surprizuar. Si rrallëherë, sedra ime është e prekur në një sallë plot, në një vend si Fier, që dikur ka pasur një emër të madh në teatrin shqiptar. Faleminderit publikut për këtë ndjesi të veçantë”, tha regjizori, Kiço Londo.
“Publiku reagoi menjëherë, qeshi dhe duartrokiti gjatë gjithë kohës. Është kënaqësi të luash një komedi që përcjell kaq shumë energji pozitive”, u shprehën aktorët, Denada Llanaj & Eglein Laknori.
Komedia “Gruaja e burrit tim”, që solli të qeshura pa fund në Fier, do të vijojë tani një turne në disa qytete të Shqipërisë, duke sjellë edhe më gjerë humorin, ironinë dhe mesazhin e saj për jetën bashkëkohore.
Top Channel