
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka deklaruar se Izraeli ka një detyrim ligjor për të lehtësuar shpërndarjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës, duke u siguruar që nevojat bazë të civilëve palestinezë të plotësohen.
Në një mendim këshillimor të publikuar të mërkurën në Hagë, gjykata tha se Izraeli, si fuqi pushtuese, duhet të sigurojë akses për OKB-në dhe agjencitë e saj, përfshirë UNRWA-n, në ofrimin e ushqimit, ujit, strehimit dhe ndihmës mjekësore për popullsinë në Gaza.
GJND tha se Izraeli nuk ka ofruar prova që mbështesin pretendimet se stafi i UNRWA-s ka lidhje me Hamasin apo grupe të tjera të armatosura.
Gjykata theksoi se detyrimi i Izraelit për të lejuar ndihmën humanitare përfshin edhe bashkëpunimin me mirëbesim me Kombet e Bashkuara dhe respektimin e imunitetit dhe pronës së saj.
Presidenti i gjykatës, Yuji Iwasawa, tha se paneli prej 11 gjyqtarësh arriti në përfundimin se:
“Izraeli duhet të sigurojë që popullsia palestineze në territoret e pushtuara të ketë furnizime thelbësore të jetës së përditshme, ushqim, ujë, strehim dhe kujdes mjekësor, dhe të lehtësojë ndihmat ndërkombëtare për aq kohë sa popullsia nuk furnizohet në mënyrë të mjaftueshme.”
Qeveria izraelite reagoi menjëherë, duke hedhur poshtë opinionin e GJND-së si një “vendim politik” dhe duke këmbëngulur se nuk do të bashkëpunojë me UNRWA-n, e cila është tashmë e ndaluar ligjërisht të veprojë në territorin izraelit.
Top Channel