Fabio Capello paralajmëron përpara Napoli–Inter: Conte është një mister, ndërsa Chivu po sjell eufori tek zikaltërit

23/10/2025 22:28

Trajneri legjendar Fabio Capello ka komentuar përballjen e shumëpritur të fundjavës midis Napolit dhe Interit, një duel që pritet të ketë ndikim të madh në garën për titullin në Serie A.

Ish-tekniku i Milanit dhe Real Madridit e ka cilësuar situatën te dy ekipet si “krejt të ndryshme”, duke theksuar ndryshimin e ndjeshëm të atmosferës pas ndeshjeve të fundit në Champions League.

“Nëse për Chivu dhe Interin tingujt e Champions janë si një muzikë qiellore, pas fitores 4-0 në Bruksel dhe serisë prej shtatë fitoresh radhazi, për Conte dhe Napolin ato janë një kujtim i hidhur pas asaj nate zhgënjyese në Eindhoven,” – u shpreh Capello.

Sipas tij, sfida e të shtunës në “Diego Armando Maradona” do të jetë një test i vërtetë për të dyja skuadrat, veçanërisht për Napolin e Contes, që po kërkon stabilitet pas një fillimi sezoni me luhatje.

“Një ndeshje e Champions League gjithmonë të lë diçka brenda. Çelësi është ta kthesh atë ndjenjë në energji pozitive. Për Napolin kjo nuk do të jetë e lehtë,” – shtoi Capello.

Tekniku italian, që në vitin 1994 fitoi si scudetton ashtu edhe Champions-in me Milanin – një arritje e rrallë që në Itali e kanë realizuar vetëm Herrera me Interin në vitin 1965 dhe Mourinho në 2010 – beson se impakti psikologjik nga Europa do të luajë një rol vendimtar në këtë duel.

Ndërkohë, ai nuk kurseu vlerësimet për Cristian Chivu, i cili po e drejton Interin me entuziazëm dhe bindje të plotë: “Chivu po i jep eufori skuadrës. Interi duket i çliruar, i organizuar dhe me mentalitet fitues.”

Sfida Napoli – Inter, që do të luhet të shtunën mbrëma, pritet të jetë një nga ndeshjet më të zjarrta të këtij sezoni në Serie A, me ndikim të drejtpërdrejtë në garën për kreun e renditjes.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta