
Një tjetër debat është hapur në Kuvend, e drejta ose jo e ndryshimit të gjinisë pas lindjes.
PD ka propozuar një ndryshim në ligjin e gjendjes civile ku kërkon gjininë biologjikisht të pandryshueshme, por gjatë mbledhjes së komisionit të shëndetësisë dhe mirëqenies sociale ky amendament është rrëzuar nga mazhoranca, që e cilëson si të panevojshëm kur ligji aktual nuk lejon regjistrimin e një gjinie të ndryshuar, por njeh vetëm gjininë e përcaktuar që në lindje, mashkull ose femër.
Për relatorin e projektligjit, demokratin Tritan Shehu ky ndryshim është emergjencë për të mbrojtur familjen. Argument që po keqpërdoret sipas socialistit Eduard Shalsi në një çështje të ndjeshme, në një kohë kur ligji ekzistues nuk lejon ndryshimin e gjinisë në dokumenta.
“Nëse në certifikatat tona nuk përcaktohet qartë gjinia në momentin e lindjes, nëse ajo bëhet e ndryshueshme sipas perceptimit personal, atëherë bie themeli i identitetit gjinor. Mospërcaktimi i gjinisë në lindje, hap rrugën për absurditete që tani i shohim, ku prindërit në dokumente nuk quhen më nënë e baba por prindi 1,2, 3 apo 4. Ky është deformim gjuhësor dhe moral që zhduk konceptin e familjes”, u shpreh Tritan Shehu.
“Kjo është një tymnajë, një përpjekje për të bërë zhurmë. Kur ne kemi firmosur konventën e të drejtave të njeriut”, tha Eduard Shalasi.
Të shqetësuar mbi kërkesën e Partisë Demokratike kanë reaguar edhe një grup organizatash, të cilët e cilësojnë keqinformim dhe nismë antikushtetuese që nxit diskriminimin ndaj komunitetit LGBTI.
Top Channel