Analiza e Bloomberg/ Cili do jetë impakti i sanksioneve të Trump ndaj kompanive ruse të naftës, ja çfarë mendojnë ekspertët

23/10/2025 10:06

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi sanksione ndaj kompanive më të mëdha të naftës në Rusi, duke lançuar paketën e parë të madhe të sanksioneve ekonomike kundër ekonomisë ruse të Vladimir Putinit, si pjesë e presionit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së shtoi kompanitë shtetërore Rosneft PJSC dhe Lukoil PJSC në “listën e zezë”, duke përmendur “mungesën e angazhimit serioz të Rusisë ndaj procesit të paqes”, thuhet në deklaratë të mërkurën.

Vendimi shënon një kthesë për qasjen e Trump ndaj Rusisë, i cili deri më tani ka shmangur vendosjen e sanksioneve në shkallë të gjerë dhe tha në fillim të këtij muaji se do të takohej me Putinin në javët e ardhshme. Është gjithashtu një ndryshim rrënjësor në qasjen e Perëndimit ndaj naftës ruse, pasi përpjekjet deri më sot, siç është kufizimi i çmimeve të G7, kanë synuar të kufizojnë të ardhurat e Kremlinit pa ndërprerë rrjedhën e naftës në treg.

Vetëm një ditë më parë, Trump kishte lënë të kuptohej një ndryshim qasje, duke thënë se “nuk dëshiron një takim pa rezultate”.

Tregjet e naftës reaguan menjëherë, teksa Brent u rrit deri me 3% në mbi 64 dollarë për fuçi. Kërcënimi për të frenuar më tej eksportet ruse erdhi në një kohë kur tregu global po përgatitej për një mbifurnizim të mundshëm.

Rosneft, i udhëhequr nga aleati i ngushtë i Putinit, Igor Sechin, dhe Lukoil, një kompani private, janë dy prodhuesit më të mëdhenj të naftës në Rusi, duke përbërë gati gjysmën e eksporteve të saj totale të naftës bruto, sipas vlerësimeve të Bloomberg. Të ardhurat nga taksat e naftës dhe gazit përbëjnë rreth një të katërtën e buxhetit rus.

“Thjesht ndjeva sikur kishte ardhur koha”, tha Trump nga Zyra Ovale gjatë takimit të tij me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Ai shprehu shpresë se sanksionet “nuk do të zgjasin shumë” dhe se lufta “do të mbarojë së shpejti”.

“Sa herë që flas me Vladimirin, kemi biseda të mira, por ato nuk çojnë askund”, shtoi presidenti amerikan, duke specifikuar se takimi me Putinin do të zhvillohej “në një fazë të mëvonshme”.

Para këtij vendimi, Trump ishte tërhequr vazhdimisht nga kërcënimet për tarifa ose sanksione kundër Rusisë. Më 29 korrik, ai i dha Moskës dhjetë ditë për të rënë dakord për një armëpushim me Kievin, afati skadoi më 8 gusht pa veprime amerikane. Pasoi një takim me Putinin në Alaska, por nuk u bë asnjë përparim në frontin ukrainas.

Lëvizja e fundit ishte marrë në konsideratë tashmë nga ish-Presidenti Joe Biden, por ai e kishte refuzuar atë, duke pasur frikë nga përçarje në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe një rritje të çmimeve. Për Trumpin, i cili e ka bazuar pjesën më të madhe të politikës së tij në mbajtjen e çmimeve të karburantit të ulëta, vendimi është një rrezik i guximshëm dhe tregon se durimi i tij me Putinin po mbaron. Ai ka thënë se beson se “benzina do të bjerë në 2 dollarë për galon”.

Kievi e mirëpriti këtë veprim, teksa ambasadorja ukrainase, Olga Stefanysyna që tha se “për herë të parë gjatë mandatit të Presidentit të 47-të të SHBA-së, Uashingtoni po vendos sanksione në shkallë të plotë ndaj kompanive ruse të energjisë”.

Në mëngjesin e së njëjtës ditë, Rusia nisi sulme të reja me dronë dhe raketa në qytetet ukrainase, duke vrarë të paktën shtatë civilë, përfshirë fëmijë. Sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike vazhdojnë, ndërsa Kievi përgjigjet duke goditur rafineritë ruse.

Megjithatë, mbetet e pasigurt nëse sanksionet e reja do të kenë ndonjë ndikim të vërtetë në strategjinë e Putinit. Administrata Biden vendosi valë të shumta sanksionesh pas pushtimit të vitit 2022, të cilat dëmtuan ekonominë, por nuk e penguan vazhdimin e luftës.

Meqenëse masat e reja synojnë drejtpërdrejt kompanitë dhe jo palët e treta që punojnë me to, eksportet e naftës ruse ka të ngjarë të vazhdojnë, megjithëse me një kosto më të lartë.

Sanksionet mund të kenë gjithashtu një efekt të dëmshëm në Indi, një blerës i madh i naftës ruse. Reliance Industries Ltd, importuesi më i madh i Indisë, ka një marrëveshje furnizimi të gjatë me Rosneft.

Mbretëria e Bashkuar kishte vendosur tashmë sanksione ndaj Rosneft dhe Lukoil një javë më parë, ndërsa Bashkimi Evropian pritet të njoftojë një paketë të re masash sot, e cila do të përfshijë një ndalim të importeve të gazit natyror të lëngshëm rus (LNG).

Me veprimin e njëkohshëm të SHBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, “një koordinim tani po merr formë që mund ta bëjë shumë më të vështirë blerjen e naftës ruse”, tha Kevin Book, drejtor menaxhues i ClearView Energy Partners në Uashington. “Ky është hapi i parë i rëndësishëm i mandatit të dytë të Trump kundër naftës ruse”, tha ai.

Megjithatë, Thomas Graham i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë paralajmëroi se sanksionet e reja “në fund të fundit mund të rezultojnë më pak efektive sesa shpreson Shtëpia e Bardhë”.

“Nëse administrata mendon se kjo do të çojë në një ndryshim themelor në sjelljen e Kremlinit ose në politikën e Putinit, gabohet”, tha ai.

“Sanksionet funksionojnë ngadalë dhe Kremlini është treguar jashtëzakonisht i aftë në anashkalimin e këtyre lloj masash”, përfundoi ai.

Rritje e çmimit të naftës

Nafta bruto Brent u rrit deri në 3% në mbi 64 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate (WTI) u tregtua afër 60 dollarëve pasi Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Rosneft PJSC dhe Lukoil PJSC, duke përmendur mungesën e angazhimit të Moskës për paqe. Trump gjithashtu synon të ushtrojë presion mbi blerësit kryesorë të naftës ruse, Indinë dhe Kinën.

“Këto sanksione shënojnë një ndryshim në qasjen e Presidentit Trump ndaj Rusisë dhe hapin rrugën për masa edhe më të ashpra që në fund të fundit mund të ndikojnë në eksportet ruse”, tha Warren Patterson, kreu i strategjisë së mallrave në ING Groep në Singapor. Megjithatë, ai vuri në dukje se mbetet e pasigurt se sa efektive do të jenë ato.

Pasi u njoftuan masat, Trump tha se planifikonte të diskutonte importet e naftës ruse nga Kina me Presidentin kinez Xi Jinping në një takim të planifikuar për javën e ardhshme në Korenë e Jugut. Në të njëjtën kohë, ai tha se kryeministri indian Narendra Modi e kishte siguruar atë se vendi do të zvogëlonte gradualisht blerjet e tij.

Kina dhe India kanë dalë si blerësit më të mëdhenj të naftës ruse që nga pushtimi i Ukrainës, pasi vendet perëndimore e kanë shmangur Moskën. Trump ka vendosur tarifa të larta ndaj Indisë për shkak të tregtisë së saj me Rusinë, por deri më tani është përmbajtur nga synimi i Kinës. Javën e kaluar, Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj dy kompanive kineze të energjisë që merren me naftën ruse, si dhe Rosneft dhe Lukoil.

Sipas analistes Rachel Ziebba të Qendrës për një Siguri të Re Amerikane në Uashington, “kjo është padyshim një nga masat më të rëndësishme të SHBA-së, por efektiviteti i saj do të kufizohet nga përdorimi i rrjeteve të paligjshme financiare.” Siç vlerëson ajo, “Kina dhe India mund të ulin pak blerjet e tyre, por nuk ka ndërprerje të papritur të eksporteve ruse.”

Rosneft, i udhëhequr nga Igor Sechin, një bashkëpunëtor i ngushtë i Putinit dhe Lukoil privat janë dy prodhuesit më të mëdhenj të naftës në Rusi, duke mbuluar pothuajse gjysmën e eksporteve totale të vendit, sipas vlerësimeve të Bloomberg. Taksat mbi naftën dhe gazin përbëjnë rreth 25% të buxhetit të shtetit rus.

Sanksionet e reja të SHBA-së përfaqësojnë një ndryshim rrënjësor në politikë, pasi përpjekjet e mëparshme ishin të kufizuara në tavanin e çmimeve të G7, i cili synonte të ulte të ardhurat e Kremlinit pa ndërprerë furnizimin dhe pa shkaktuar rritje të çmimeve.

Vandana Hari, themeluese e Vanda Insights, tha se “tregu do të ketë nevojë për kohë për të kuptuar plotësisht implikimet e këtyre masave”, duke shtuar se “ato ka të ngjarë të shkaktojnë shqetësim të konsiderueshëm për rafineritë në Indi dhe Kinë.”

Ndërkohë, vendet e Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje mbi një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, e cila pritet të miratohet të enjten. Sanksionet do të synojnë 45 subjekte që ndihmuan Rusinë të anashkalonte masat, përfshirë 12 kompani në Kinë dhe Hong Kong, sipas një deklarate nga Danimarka, e cila mban presidencën e Këshillit të BE-së.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta