
Është shoqëruar me tensione seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku u diskutua raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Misionin në Kosovë, UNMIK.
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara insistoi se në Kosovë nuk ka kërcënime për sigurinë dhe mbështeti mbylljen e misionit të UNMIK-ut. Në raport, iu bë thirrje institucioneve kompetente në Beograd dhe në Prishtinë t’i ndjekin penalisht përgjegjësit për sulmin në Banjskë në veri të Kosovës më 202, ku një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një oficer. Shin sakaq përmendi si shembuj pozitivë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, si dhe dy takime ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por përsëriti shqetësimet e UNMIK-ut dhe partnerëve ndërkombëtarë në lidhje me mbylljen nga Prishtina zyrtare të institucioneve paralele serbe në komunat në veri.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, nga ana e saj, vlerësoi se raporti i UNMIK-ut është “i anshëm dhe i paplotë” dhe se “nuk përmban fakte themelore”, ndërsa tha se kërcënimi i vërtetë për rajonin është Serbia.
“Në Kosovë u mbajtën zgjedhje parlamentare dhe lokale dhe u vlerësuan nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare si të lira dhe të ndershme. Kosova është një demokraci e pastër perëndimore në Ballkanin Perëndimor, me angazhimin më të fortë pro-NATO dhe pro-BE në botë. Por ndërkohë, ne cdo ditë po shohim një makinë propagande nën kontrollin e Aleksandar Vuçic, e cila po helmon sistematikisht shoqërinë serbe dhe po e përgatit publikun për agresion kundër vendit tone. Serbia tregoi se ishte e gatshme për luftë dhe se njeriu që mori përgjegjësinë për sulmin e Banjskës, Milan Radojçic, ishte krahu i djathtë i Vuçicit. Komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë presion mbi regjimin në Serbi, sepse nëse nuk ka pasoja, ata do ta përshkallëzojnë situatën edhe më tej”, shprehet Gërvalla.
Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuric e mbështeti nga ana tjetër raportin e UNMIK-ut si “të balancuar dhe realist”, ndërsa vlerësoi se “të drejtat e njeriut të serbëve në Kosovë po përkeqësohen sistematikisht” dhe se numri i “incidenteve me motive etnike është rritur”.
“Që nga koha kur Albin Kurti erdhi në pushtet, janë regjistruar 37 incidente kundër anëtarëve të komunitetit serb. Ky mohim sistematik i të drejtave nuk është vetëm një tragjedi serbe, por një dështim moral për të vepruar. Kurti po bën një spastrim të qetë etnik”, shprehet Marko Gjuriç, ministër i Jashtëm serb.
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet, të përmbahen nga masat që do të çonin në përshkallëzim dhe të rikthehen në dialog.
Top Channel