
Një skenë tronditëse është regjistruar në Uruguai, gjatë finales së kategorisë rezervë mes ekipeve San Lorenzo dhe Central Molino, në qytetin Maldonado.
Një futbollist i San Lorenzos sulmoi me kokë arbitrin Alexis Ferreira, duke i thyer dy dhëmbë dhe shkaktuar gjakderdhje të rëndë në fytyrë.
Locura total !!!!
Fue agredido el árbitro durante la final de la Reserva de la divisional Ascenso de la Liga Mayor de Maldonado.
Jugador de San Lorenzo de San Carlos le da un cabezazo al árbitro Alexis Ferreira luego de ser expulsado. pic.twitter.com/2yvB27ODRx— Heroica Deportiva (@sergioferis) October 19, 2025
Ngjarja ndodhi pasi dy lojtarë të San Lorenzos u ndëshkuan me karton të kuq për fyerje ndaj gjyqtarit. Pas këtij vendimi, një nga bashkëlojtarët e tyre u vërsul ndaj arbitrit dhe e goditi me kokë në fytyrë, në mënyrë brutale.
Pas incidentit, Ferreira deklaroi për mediat lokale: “Humba një dhëmb, u gjakosa shumë dhe ndjeva marrje mendsh. Ishte një moment shumë intensiv, por për fat të mirë, kolegët e mi dhe lojtarët kundërshtarë më erdhën menjëherë në ndihmë.”
Ai falënderoi shoqatën e arbitrave dhe drejtuesit e klubeve për mbështetjen, ndërsa paralajmëroi për rritjen shqetësuese të dhunës ndaj gjyqtarëve në Maldonado – ku vetëm këtë vit janë regjistruar mbi pesë sulme fizike ndaj arbitrave.
“Gabimet janë pjesë e lojës, si nga lojtarët, ashtu edhe nga ne. Por dhuna nuk mund të justifikohet kurrë,” – shtoi ai.
Futbollisti që kreu sulmin është paraqitur para Prokurorisë së Maldonados dhe përballet me akuza për dëmtime të rënda trupore me dashje. Avokati i tij deklaroi se lojtari është penduar, i ka kërkuar falje arbitrit dhe është i gatshëm të mbulojë shpenzimet mjekësore.
Ndërkohë, presidenti i Ligës së Promovimit të Maldonados, Alfredo Isnardi, e cilësoi aktin si: “Një nivel dhune i paprecedentë në futbollin tonë.”
Ai konfirmoi se lojtari do të përjashtohet përjetë nga aktivitetet futbollistike, jo vetëm në Maldonado, por në të gjithë Uruguain.
Në shenjë solidariteti me arbitrin dhe për të protestuar ndaj dhunës në sport, Liga Kryesore e Maldonados dhe Unioni i Arbitrave kanë pezulluar pjesën e mbetur të sezonit. Po ashtu, klubi San Lorenzo mund të përballet me masa disiplinore shtesë nga autoritetet.
Top Channel