
Eleganca, luksi dhe rafinimi francez ishin tri fjalët që përshkruan më së miri dasmën e Sean Taffin de Givenchy me të dashurën e tij të universitetit, Dahieh Jong, e cila u zhvillua në Paris.
Çifti u martua në gusht të këtij viti në Bazilikën Sainte-Clotilde në kryeqytetin francez, por vetëm tani ata kanë ndarë për herë të parë foto nga ceremonia magjike. Nusja ka rrëfyer për mediat se “duhet të më shtrëngojnë për ta besuar se është e vërtetë”.
Familja e dhëndrit, e njohur për lidhjet me shtëpinë e famshme të modës Givenchy, përfshirë nënën e tij Suzy de Givenchy, ndoqi e emocionuar momentin kur nusja ecte drejt altarit e veshur me një fustan të bardhë pa rripa, të dizenjuar me porosi, dhe me një vello elegante, të kombinuar me këpucë me taka ngjyrë krem, shkruan Daily Mail. Ceremonia katolike u drejtua nga Ati Mark Lambert, në meshën e tij të fundit para daljes në pension.
Në dasmë morën pjesë vëllezërit e dhëndrit, Lucas dhe Matthew de Givenchy, si shoqërues, ndërsa xhaxhai i tij – stilisti i njohur amerikan i bizhuterive James Taffin de Givenchy dhe kushërira Stella de Givenchy, ishin gjithashtu të pranishëm.
Babai i Sean, Hubert de Givenchy, u nda nga jeta në vitin 2016. Ai mban emrin e xhaxhait të tij legjendar, themeluesit të shtëpisë së modës Givenchy, krijuar në vitin 1952. Edhe pse marka iu shit konglomeratit LVMH në vitin 1988, familja ruan ende lidhje të forta me botën e modës.
Sean punon si analist i lartë financiar në shtëpinë e ankandeve Christie’s, ku ka kryer edhe praktikë më parë në LVMH, ndërsa Dahieh, e cila përfundoi MBA-në në Universitetin Columbia në Nju Jork këtë vit, ka punuar në Taffin, markën e bizhuterive që zotërohet nga xhaxhai i Sean-it.
Ceremonia kishtare ishte kulmi i tre ditëve festive. Festimet nisën me një darkë në restorantin luksoz La Fontaine Gaillon, pranë Operës së Parisit.
Të nesërmen, të ftuarit morën pjesë në një “drekë mirëseardhjeje” në hotelin Le 5 Particulier, ku u argëtuan me lojëra dhe surpriza. Çifti kishte përgatitur një kullë makaronash të personalizuara, që u shpërndanë si dhurata, së bashku me qirinj të dizenjuar posaçërisht për ta.
Pas dasmës, festimet u zhvendosën në Pavillon Dauphine, pranë Champs-Élysées, një nga vendet më elegante të kryeqytetit francez.
Duke folur për Vogue, Dahieh rrëfeu se nuk ishte “dashuri me shikim të parë” me fustanin e saj të nusërisë.
“Kisha vizituar më shumë se dhjetë dyqane nusërie në Manhattan dhe ende nuk e kisha gjetur fustanin e përsosur. Po filloja të humbisja shpresën. Të gjithë fustanet po më ngatërroheshin në kokë, por isha e vendosur të mos kënaqesha me asgjë më pak se ajo që ndihesha se ishte e duhura,” – tregoi ajo.
Në fund, ajo pa një fustan të zi që i pëlqeu shumë dhe i kërkoi stilistit t’ia krijonte në ngjyrë të bardhë – dhe kështu lindi fustani i ëndrrave të saj.
Unaza e veçantë
“Ishte një ëndërr e bërë realitet kur Sean më propozoi me një unazë TAFFIN të dizenjuar me porosi,” – rrëfeu Dahieh për Over the Moon.
Një nga dhuratat e para që Sean i kishte bërë ishte një unazë TAFFIN me gur blu, ndaj unaza e fejesës u krijua në ngjyrë bruz të çelët, me një diamant në formë dardhe që përputhej në mënyrë perfekte me atë të mëparshmen.
Në nder të familjes Givenchy, çifti i kërkoi Nicolas de Givenchy-t, kushëririt të Sean-it, të realizonte fotografitë zyrtare të dasmës me një aparat fotografik të vjetër familjar, duke e bërë gjithçka edhe më simbolike.
Nga Parisi në Nju Jork
Ndërsa dasma madhështore u zhvillua në Paris – qyteti ku Sean kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë dhe ku jeton nëna e tij – çifti kishte mbajtur gjithashtu një ceremoni intime në Nju Jork, në muajin shkurt.
“Unë dhe Sean kemi prejardhje shumëetnike,” – tha Dahieh. “Unë kam lindur në Seul, Koreja e Jugut, dhe jam rritur në SHBA dhe Kanada. Sean u rrit në Francë, por ka rrënjë franceze, amerikane dhe nga Hong Kongu.”
Ajo përshkroi ceremoninë e Nju Jorkut si “të papërsosur, të nxituar dhe kaotike”, ndërsa dasmën në Paris e cilësoi “të përsosur në çdo detaj”.
Historia e tyre e dashurisë filloi në vitin 2018, kur të dy ishin studentë në Universitetin McGill në Montreal, Kanada.
Sean e kishte vënë re Dahieh-n, por nuk kishte guximin t’i afrohej. Pas këshillave të miqve, ai vendosi t’i kërkonte numrin e telefonit – dhe u takuan që të nesërmen. Që prej asaj dite, rrugët e tyre nuk u ndanë më.
Top Channel