
Në kuadër të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, u zhvillua në qytetin e Korçës një aktivitet sensibilizues me pjesëmarrjen e qytetarëve, institucioneve vendore dhe organizatave të shëndetit publik.
Qëllimi i aktivitetit ishte rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe kujdesit të vazhdueshëm shëndetësor për gratë dhe vajzat.
Pjesëmarrësit marshuan simbolikisht ndërsa mjekë specialistë dhe përfaqësues të institucioneve informuan qytetarët për mënyrat e parandalimit dhe rëndësinë e kontrolleve periodike.
Vetëm vitin e kaluar gjatë tetorit janë kryer mbi 1000 mamografi në qytetin e Korçës, ndërsa këtë vit numri varion nga 30 deri në 50 ekzaminime në ditë, duke treguar një interes në rritje për kontrollin e hershëm edhe pse nevoja për ndërgjegjësim mbetet ende e lartë.
Ngjyra rozë, simbol i forcës, shpresës dhe solidaritetit, mbizotëroi në çdo detaj të aktivitetit, duke përcjellë mesazhin se lufta kundër kancerit të gjirit fitohet me vetëdije dhe dashuri për jetën.
Top Channel