Shqipëria e vitit 1921, ekspozita me fotot e rralla të antropologut zviceran Eugene Pittard

22/10/2025 19:59

Antropologu zviceran Eugene Pittard erdhi Shqipërinë në vitin 1920, ku vizitoi dhjetëra qytete dhe fshatra, për të bërë një studim antropologjik.

Ndërsa me lenten e aparatit, realizoi shkrepje të rralla që prekën nga afër jetën e përditshme të shqiptarëve.

Kurator i ekspozitës, Elton Koritari thotë: “Ne shohim si realisht ka qenë jeta përpara një shekulli, pasi Pittard fotografonte jetën siç ishte, pra nuk vinte njeri në pozë. Nga ana tjetër kanë një vlerë sociale, ka kërkuar të reflektojë anën sociale të shoqërisë, problematikat e asaj kohe, që në fakt janë edhe problemet e shoqërisë së sotme”.

Pittard nuk inskenonte asnjë çast, nuk i kërkonte askund të pozonte, ndaj personazhet e tij janë tërësisht të vërtetë. Janë ruajtur rreth 300 fotografi të tilla, shumica prej të cilave u ekspozuan në Qendrën për Hapje dhe Dialog, kur për herë të parë publiku mund të shohë imazhe që nuk i gjejmë në arkivat shqiptare.

“Nuk gjejmë Pallatin e Princ Vidit, nuk kemi muret e Durrësit të vjetër në 1920, as imazhet e Leskovikut të djegur nga grekët”, shprehet shkrimtari Luan Rama.

Si mik i shqiptarëve, akademiku dhe humanisti i njohur kontribuoi në mbrojtjen e integeritetit tё shtetit shqiptar nё arenёn ndёrkombёtare në vitet 1920.

“Madje ai e cilësonte ‘Shqipëria ime’, u lidh me Shqipërinë… Aty pikas fytyra e Shqipërisë, ishte një fotograf social, një fotograf historic, na la dëshmi të jashtëzakonshme për gjendjen e Shqipërisë në atë kohë. E mbështeti Shqipërinë në futjen në Shoqatën e Kombeve”, shton Rama.

Ekspozita “Shqipëria e vitit 1921”, që shoqërohet edhe me instalacione e një  film dokumentar do të qëndrojë e hapur deri në 13 nëntor.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta