
Vincenzo Italiano nuk e lë futbollin edhe kur është i shtruar në spital.
Trajneri i Bolognës, i cili aktualisht ndodhet në spitalin Sant’Orsola, mund të udhëheqë skuadrën nga dhoma e tij, nëse gjendja shëndetësore e lejon.
Një ide thuajse e pabesueshme, por që tregon pasionin e pakompromis të Italianos për lojën dhe skuadrën e tij. “Puna në distancë” është plani i fundit që po përgatitet nga stafi i tij, me shpresën që ai të mund të jetë në kontakt të drejtpërdrejtë me pankinën gjatë ndeshjes vendimtare kundër Steaua Bukureshtit këtë të enjte.
Nëse nuk ja del për këtë takim europian, Italiano synon të rikthehet për ndeshjet në kampionat – më së largu për sfidën e 29 tetorit kundër Torinos, ose ndoshta në fundjavën pasuese kundër Parmas.
Nga spitali, trajneri i Rossoblù-ve do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me stafin teknik, duke dhënë udhëzime dhe strategji përmes telefonit. Edhe pse fizikisht i mungon pankinës, prania e tij do të ndihet qartë në çdo vendim të marrë gjatë lojës.
Sipas deklaratës zyrtare të klubit të Bolonjës, të publikuar dje, Italiano do të qëndrojë në spital për të paktën pesë ditë, çka nënkupton se ai do të mungojë në dy ndeshjet e radhës – përfshirë edhe atë në stadiumin Artemio Franchi në Firence, një vend që ka shumë kuptim për të, për shkak të periudhës si trajner i Fiorentinës.
Gjithsesi, gjithçka do të varet nga si reagon ai ndaj trajtimit, por një gjë është e sigurt: Italiano është i vendosur të rikthehet sa më shpejt në fushë, aty ku ndjehet më shumë vetvetja.
Top Channel