Raketat/ SHBA i jep leje Ukrainës, heq kufizimet për përdorimin e armëve me rreze të gjatë kundër Rusisë

22/10/2025 22:13

Shtetet e Bashkuara kanë hequr kufizimet për përdorimin e disa prej armëve me rreze të gjatë veprimi që Ukraina ka marrë nga aleatët perëndimorë.

Ky hap ka të bëjë me raketën britanike “Storm Shadow”, e cila është përdorur për të sulmuar një uzinë kimike në qytetin rus të Bryansk, një goditje që ka shkaktuar trazira në linjat e furnizimit të Rusisë.

Përpara këtij vendimi, SHBA kishte refuzuar përdorimin e armëve të tilla nga Ukraina, por tensionet e ditëve të fundit mes SHBA-së dhe Rusisë janë të larta. Trump ka anuluar takimin me Putiin në Budapest dhe po ashtu sekretari Rubio me ministrin e jashtëm Lavrov. Në të njëjtën kohë, Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, njoftoi se një paketë e re sanksionesh do të shpallet kundër Rusisë, duke konfirmuar politikën shtrënguese ndaj Kremlinit për të ndaluar agresionin në Ukrainë.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se takimi mes presidentit amerikan dhe atij rus dështoi nga këmbëngulja e Putinit për të marrë kontrollin zyrtar mbi Donbasin dhe me gjasë këto pretendime të tij do të mbeten një pengesë për çdo marrëveshje të mundshme.

Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, ka theksuar se Ukraina duhet të vazhdojë luftën përmes forcës, dhe se Bashkimi Evropian do të qëndrojë pranë Ukrainës për të mbështetur sovranitetin e saj.

Ekspertët thonë se ky ndryshim i politikës nga SHBA mundëson një rritje të sulmeve të Ukrainës brenda territorit të Rusisë, duke e bërë luftën më të pasigurt, por edhe të paparashikueshme për të dy palët.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta