“Nuk do të ketë asnjë tolerim”, aksion kundër peshkimit të paligjshëm në Lagunën e Vainit

22/10/2025 12:53

Inspektorati i Peshkimit, në bashkëpunim me Administratën e Zonave të Mbrojtura dhe Policinë e Shtetit, ka ndërmarrë një aksion të përbashkët kundër veprimtarive të paligjshme të peshkimit në Lagunën e Vainit.

Që nga e mërkura, strukturat përgjegjëse kanë zbarkuar në terren, pasi kompania që më parë shfrytëzonte lagunën kishte përfunduar kontratën që prej muajit maj. Megjithatë, pavarësisht shkresave dhe paralajmërimeve të përsëritura, aktiviteti i paligjshëm kishte vijuar në mënyrë të kundërligjshme.

Gjatë aksionit janë hequr rrjeta dhe materiale të tjera të peshkimit, ndërsa autoritetet theksuan se do të vazhdojnë kontrollet për të parandaluar çdo shkelje të ligjit në zonat e mbrojtura.

Inspektorati i Peshkimit bëri me dije se “nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj shkeljeve të këtij lloji dhe askush nuk ka të drejtë të veprojë në zonat e mbrojtura pa leje përkatëse.”

Ky operacion synon mbrojtjen e ekosistemit të lagunës dhe ruajtjen e biodiversitetit në një nga zonat më të rëndësishme natyrore të vendit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta