“Jeta si një film”, rrëfimi i fundit i Piro Milkanit vjen në një dokumentar: Nuk kam asnjë peng. Prapaskenat e filmave ikonikë

22/10/2025 12:49

“Dua të jem i sinqertë, ju them se nuk kam asnjë peng në jetën time”, kështu e niste regjisori Piro Milkani rrëfimin e sinqertë për jetën e tij, bërë disa muaj para ndarjes nga jeta.

“Nuk kam asnjë peng, sepse janë bërë shumë intervista për mua, kështu që ndryshe nga intervistat e tjera që kam bërë, dua ta nis nga fundi për të shkuar te fëmijëria ime”.

Kjo intervistë e ikonës së kinematografisë shqiptare është shtylla me të cilën regjisorin Marviks Shantoja ndërtoi dokumentarin në nder të Piro Milkanit, “Jeta si një film”.

“Siç e thotë edhe vetë Piro, ai ka dhënë shumë intervista, por këtë herë sikur e ndiente dhe thotë ‘do ta nis nga fundi për të shkuar deri në lindjen time’. Dhe kështu është trajtuar e gjithë jeta e Piros, nga vdekja te fëmijëria e tij, është e gjithë jeta e tij, dashuria për filmin”, tha Marviks Shantoja-regjisor.

“Në këtë dokumentar, vjen një sintezë e bukur e gjithë historisë së kinematografisë, Piro bën vetë narratorin, ne i morëm komplet zërin dhe ai vjen shumë natyrshëm në një tregim artistik të sinqertë, duke rrëfyer të gjithë jetën e tij”, deklaroi Skënder Jaçe-producent.

Premiera e dokumentarit, që është pasuruar me foto të rralla dhe informacione nga vetë djemtë e regjisorit, u ndoq me emocionet nga dashamirësit e artit që Piro Milkani krijoi në gati 6 dekada.

“Filmi gjithmonë ka një publik dhe do të vazhdojë të ketë këtë lloj publiku. Filmat e Piros gjithmonë do ta kenë publikun e tyre, ashtu si të gjithë regjisorët që janë brezi i parë i regjisorëve, së bashku me Viktor Gjikën, Dhimitër Anagnostin, Kristaq Mitron”, deklaroi Eno Milkani-regjisor..

Personazhi i Malos te Zonja nga Qyteti as e dinte se Ollga do ta hidhte në lumë, Trishtimi i Zonjës Shnajder është një rrëfim autobiografik për dashurinë për zonjën Shnajder dhe Pragën… me rrëfimin e fundit, Milkani zbulon prapaskena nga shesh-xhirimet, si dhe kontrollet e rrepta nga sistemi i kohës, që shpesh e shtynin në auto-censurë.

Megjithatë, thotë se ia doli të realizojë 25 filma artistikë, teksa filmin e krahason me verë. Një filmi të mirë i rritet vlera me kalim e kohës, shprehej “Artisti i Popullit”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta