
Te Napoli aktual ka diçka që nuk shkon, ndoshta prurjet e reja në skuadër, ndryshimi i modulit të cilave iu shtohet edhe numi i lartë i futbollistëve të dëmtuar pa harruar edhe forcën e kundërshtarit.
Edhe pse ka shumë faktorë, humbja turpëruese në Holandë ndaj PSV Eindhoven vë në bankën e të akuzuarve vetë trajnerin e Napolit, Antonio Conte që ka një raport të vështirë me futbollin evropian sidomos Ligën e Kampioneve. Ekzistojnë statistika për këtë, dhe shifrat nuk gënjejnë pasi janë fakte. Duke marrë parasysh edhe këto 3 ndeshje të sezonit aktual me Napolin; me bilanc 2 humbje dhe 1 fitore, për Antonio Conten shkon në 45 numri i ndeshjeve në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube me një bilanc të përgjithshëm; 16 fitore, 14 barazime dhe 15 humbje me një mesatare prej 1.38 pikësh për ndeshje. Shumë pak, duke parë skuadrat që ai ka drejtuar.
Me Juventusin, Antonio Conte ka një bilanc prej 14 fitoresh, 4 humbjesh dhe 4 barazimesh. Me Chelsean, në 8 ndeshje italiani ka regjistruar 3 fitore, 2 humbje dhe 3 barazime, me Interin; 3 fitore, 5 humbje dhe 4 barazime, ndërsa bilanci me Tottenham është; 8 ndeshje, 3 fitore 2 humbje dhe 3 barazime.
Për më tepër, rezultati më i mirë i trajnerit Conte në Ligën e kampioneve është çerekfinalja në sezonin 2012/13 me Juventusin, ndërsa në dy raste ai ka arritur deri në 1/8 e finaleve në 2017/2018 me Chelsea dhe në 2022/23 me Tottemham. Përsa i përket pjesës tjetër, gjithnjë është eliminuar në fazën e parë. Conte edhe në Europa league ka pasur rezultate jo shumë të kënaqshme, kështu me Juventusin në gjysmëfinale me Benfica në 2014, ndërsa me interin humbi në finale të këtij kompeticioni me Sevilla në 2020. Statistikat e thonë qartë, Antonio Conte në kompeticionet evropiane gjithnjë është në vështirësi, ndryshe nga sa ka ndodhur në Ligat kombëtare ku ka ngritur trofe dhe ka ndjerë kënaqësi të mëdha
Top Channel