
Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin dhe opinionin publik në Qipro.
Biznesmeni dhe presidenti i klubit Karmiotissa, Stavros Demosthenous, është ekzekutuar në një atentat të tipit mafioz më 17 tetor, në qytetin e Limasolit, ku policia po heton edhe pistën e trukimit të ndeshjeve. Klubi Karmiotissa bën pjesë në kategorinë e dytë të futbollit qipriot dhe mban vendin e pestë, ndërsa më herët ky klub ka qenë i hetuar nga UEFA për trukime ndeshjesh. Federata qipriote e kishte gjetur fajtore për trukim, por që në atë kohë Demosthenous, nuk ishte president, pasi e mori klubin në zotërim në vitin 2023.
Por le ti kthehemi ngjarjes. Sipas raportimeve të policisë qipriote, dy persona të armatosur e pritën 49-vjeçarin para banesës së tij dhe hapën zjarr me breshëri plumbash sapo ai doli nga dera. Djali i tij, 18 vjeç, u përpoq ta shpëtonte të atin duke e futur në makinë dhe duke u nisur drejt spitalit, por Demosthenous ndërroi jetë gjatë rrugës.
Gjatë përpjekjes për ta transportuar me shpejtësi, djali humbi kontrollin dhe automjeti u përplas me disa makina në autostradë, gjë që fillimisht shkaktoi konfuzion rreth mënyrës së ekzekutimit. Pak minuta pas ngjarjes, policia gjeti një makinë të djegur në një zonë tjetër të Limasolit, e cila dyshohet se u përdor nga atentatorët për t’u arratisur.
Sipas autoriteteve, sulmi ishte i planifikuar me profesionalizëm, pasi autorët kishin ndjekur lëvizjet e viktimës dhe ishin siguruar për eliminimin e tij përpara se të largoheshin nga vendngjarja. Hetimet po përqendrohen në pistën e lidhjeve me botën e basteve sportive dhe trukimeve të ndeshjeve, pasi klubi Karmiotissa ka qenë më herët nën hetim nga UEFA për dyshime të përsëritura në këtë drejtim.
Në kuadër të hetimeve, policia ka arrestuar tre persona të rinj, të moshës 58, 39 dhe 30 vjeç, të cilët u morën në paraburgim me urdhër të gjykatës. Më herët ishte arrestuar edhe një 44-vjeçar, i cili ndodhet në paraburgim tetëditor.
Top Channel