Vështirësitë e mësuesve për të trajtuar fëmijët me aftësi ndryshe, prindërit refuzojnë ta pranojnë

21/10/2025 20:07

Prej disa vitesh tashmë në Shqipëri shkollat funksionojnë me parimin e gjithëpërfshrjes i cili ka si synim përfshirjen e të gjithë fëmijëve pa dallim race, gjinie, etnie apo aftësie të kufizuar.

Sa i përket kësaj të fundit, nisur nga aftësia ndryshe, fëmijës i sigurohet psikolog, mësues ndihmës, punonjës social etj. Por duket se ligji nuk ka parashikuar ato raste kur prindi nuk pranon diagnozën e fëmijës.

“Kemi raste që janë vërtet shumë të vështira, me prindër të cilët, edhe pse ndërhyhet nga shërbimi Psikosocial, apo nga mësueset, prindërit nuk e pranojnë që fëmija i tyre ka një çregullim të caktuar, ka një vështirësi në sjellje, apo spektrin e autizmit.

Në këtë rast kemi të bëjmë me një ngërç të madh ligjor sepse nuk na lejon ligji të ndërhyjmë në asnjë mënyrë. Dmth ky fëmijë mund të jetë dëmtues i vetes, apo i pjesës tjetër të klasës, mund të vejë në rrezik edhe për jetën”, shprehet Jaupbashi.

Në këtë rast specialistët sugjerojnë që t’i jepen më shumë kompetenca komisionit multidisiplinar, pasi arsimi gjithëpërfshirës nuk do të thotë rrezik konstant.

Psikologja, Sonila Jaupbashi: “Në gjykimin tim duhet t’i japim më shumë kompetenca këtij komisioni që të marrë vendime në raste ekstreme ose të kërkohet supervizim i jashtëm me psikologë apo psikiatër, për ta adresuar aty ku duhet. Në këtë rast, jo vetëm ndihmojmë shkollën, jo vetëm ndihmojmë komunitetin, por ndihmojmë fëmijën që të marrë shërbimin e duhur, në kohën e duhur dhe të ecë në jetë”.

Sipas specialistëve, pranimi i një problemi tek fëmija është shumë i vështirë, por sa më shpejt të pranohet, aq më shpejt ka mundësi fëmija të marrë ndihmën dhe shërbimet e duhura dhe të jetë pjesë e komunitetit si i barabartë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta