Historia e një prej tyre/ 56-vjeçarja në Lezhë, nënë e dy fëmijëve, po lufton me sëmundjen e kancerit të gjirit

21/10/2025 17:01

“Unë zgjodha jetën”, kështu e nis Vera këtë bisede, gruaja që vendosi të mos dorëzohet përballë diagnozës së rëndë me kancer gjiri.

Vjeshta e vitit 2024 ndryshoi gjithçka për të, kur pas disa shqetësimeve fizike dhe vizitave mjekësore, zbuloi se ishte prekur nga kjo sëmundje.

Sot, një vit më pas, 56-vjeçarja nga Ishull-Lezha, nënë e dy fëmijëve, vijon trajtimin në Spitalin Rajonal të Lezhës. Me shumë forcë dhe besim, ajo tregon se sëmundja u kap në fazë të hershme dhe se trajtimi po ecën me sukses.

Vera thotë se forcën për të përballuar këtë betejë e gjeti te besimi në Zot dhe mbështetja e mjekëve, të cilët i qëndruan pranë në çdo hap.

Pavarësisht vështirësive, ajo nuk e humbi shpresën dhe sot ka një apel për çdo grua: të mos kenë frikë nga kontrollet mjekësore, sepse zbulimi në kohë shpëton jetë.

Sipas të dhënave të Shërbimit Onkologjik në Qarkun e Lezhës, vetëm gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti janë regjistruar 30 raste të reja me kancer gjiri, kryesisht në grupmoshën 45 deri në 60 vjeç. Një shifër që tregon rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe ndërgjegjësimit për këtë sëmundje.

Vera është shembulli i një gruaje që zgjodhi të jetojë me shpresë, forcë dhe mirënjohje për jetën një mesazh frymëzues për çdo grua që përballet me këtë sfidë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta