Familja në mëshirë të fatit/ Banesë e mjerueshme dhe prindër të papunë, kërkohet ndihma e institucioneve në Fier

21/10/2025 12:29

Në fshatin Petovë të Fierit, jeta e një familjeje prej gjashtë anëtarësh zhvillohet mes mjerimit dhe pasigurisë.

Në një dhomë të vogël, ku muret e çara dhe tavani i rrënuar qëndrojnë në këmbë sikur vetëm për të mos rënë e lënduar katër fëmijët e mitur, familja Gremi përpiqet të mbijetojë.

Çdo shi që bie, e kthen këtë dhomë në një vend të pabanueshëm, ndërsa katër fëmijët e mitur përballen me të ftohtin, lagështinë dhe mungesën e kushteve minimale për jetesë.

Kryefamiljari, 35-vjeçari Gazment Gremi, deri pak ditë më parë punonte në serat e fshatit me orar të zgjatur për të siguruar të ardhurat e pakta që mbanin gjallë familjen. Por një konflikt pronësie me të vëllain e tij ka përfunduar me denoncimin e Gazmentit për dhunë, dhe aktualisht ai ndodhet në arrest shtëpie.

Në këto kushte, bashkëshortja e tij, e cila kujdeset për fëmijën më të vogël vetëm njëvjeçar, nuk mund të dalë të punojë, duke e lënë familjen në mëshirën e fatit.

Çifti kërkon ndërhyrjen e institucioneve, si dhe rishikimin e masës së dënimit për Gazmentin, i cili është i vetmi krah pune që mund të sigurojë jetesën e familjes.

Thirrja e nënës shkon për këdo që mund të ndihmojë sado pak, pasi dimri po afron dhe kushtet në të cilat jetojnë janë tepër të rënda. Por mes gjithë këtij mjerimi, është zëri i thyer i djalit 10-vjeçar që prek më shumë se çdo fjalë.

“Kur të rritem edhe pak, do të punoj në një furrë buke që t’u sjell bukë motrës dhe vëllezërve”.

Një thirrje e heshtur, që duhet të dëgjohet nga të gjithë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta