Nga Kim Mehmeti

Janë qesharak ata që thonë se BDI’ja i ka humbur këto zgjedhje vendore.

Jo, edhe këto zgjedhje, njësoj si gjitha të tjerat gjatë njëzet viteve të mëparshme, i fitoi partia e cila, duke u shërbyer sunduesve maqedonas, e mbulonte të vërtetën se shqiptarët e këtushëm nuk janë as popull shtetëformues, as popull bashkëdrejtues të Maqedonisë së Veriut.

Pra, në këto zgjedhje lokale ndodhi ajo që ka ndodhur me gjitha partitë e mëparshme shqiptare të cilat i ka mposhtur e bija që e kanë lindur ato vetë.

Pra ndodhi që krahu i Çairit i BDI’së – që mbulohet me emrin e ri, që populli të harrojë se bëhet fjalë për njerëzit e njëjtë që njëzet vite me radhë janë në pushtet – deri diku e mposhti krahun e Zajazit të BDI’së, që gjithashtu u mbulua me emblemë të re, që mos shihen fytyrat e atyre që njëzet vite me radhë popullin e gënjenin se shtetëformues atë e bënë kryeministri dhe kryetari i kuvendit shqiptar.

Ndërkohë duhet thënë se krahu i Zajazit i BDI’së nuk arriti t’i realizojë parashikimet parazgjedhore edhe shkaku se drejtuesi i tanishëm i saj u rrit aq shumë mendsh sa filloi të besojë se është vasal i pazëvendësueshëm.

Pra drejtuesi i AKI’së harroi se vasalin e voton populli, por e përcakton sunduesi, e jo e kundërta dhe andaj u mposht nga ata që ai vetë i kishte rritur e stërvitur, por të cilët më mirë se ai e kishin kuptuar se vasal më jetëgjatë është ai që vepron sipas parimit: “Lidhe kalin aty ku të thotë sunduesi edhe kur aty nuk ka kullosë dhe ku ai mund të ngordhë!’

Në të vërtetë shqiptarët e Maqedonisë gjithmon deri tani vetëm e kanë votuar dhe ‘legalizuar’ humbjen e vet. Dhe gjitha ato zgjedhje gjithmonë i ka fituar sunduesi maqedonas.

Ata i humbën gjitha zgjedhjet sepse u besuan gënjeshtrave se shtetëformues mund të bëhesh edhe pa të përmendur askund kushtetuta e vendit?

Pra shqiptarët e këtushëm o nuk e shihnin, o nuk donin ta shihnin se ata i ngjanin një kopeje me shumë barinj, por që të gjithë ata s’bënin gjë tjetër përpos që i çonin te ‘stani’ ku i ‘mjelte dhe i qethte’ sunduesi maqedonas.

Po pra, sado që duan të duken të ditur, janë qesharak gjithë ata që e shpjegojnë humbjen e BDI’së, e ndërkohë duke mos e pranuar humbjen e pandalshme disadekadëshe të shqiptarëve të këtushëm dhe fitoren e madhe të sunduesve maqedonas.

Siç është edhe fitorja e tyre e radhës e këtyre zgjedhjeve vendore në të cilat Kryeministri i sotëm i Maqedonisë së Veriut e realizoi ëndrrën e madhe të qarqeve antishqiptare: ta ‘luaj’ pjesën e dytë të konfliktit të 2001 dhe t’i mposhtë të gjithë drejtuesit e saj.

Gjë të cilën nuk do mund ta arrinte pa ndihmën e shqiptarëve që besonin se duke e mundur BDI’në do i çlironin shqiptarët e kapur robë nga sunduesit maqedonas, rob të luftës së nisur kundër tyre qysh nga themelimi i këtij shteti në vitin 1945.

Dhe shqiptarët e Maqedonisë mbase nuk do mposhteshin kaq lehtë nëse sunduesit maqedonas nuk do e kishin mbështetjen e Kryeministrit të Shqipërisë që kishte BDI’në e Zajazit dhe atij të Kosovës që u vëllazërua me BDI’në e Çairit!

E që në mënyrë figurative thënë, u ngjanin dy loparëve që e mbanin për brinësh lopën (lexo: shqiptarët e këtushëm) vetëm që ajo të mos lëvizte dhe që Kryeministri i Maqedonisë i papenguar të mund ta mjelë atë.

Dhe sa i përket Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, ai nuk duhet gjithaq t’u besojë këtyre VLEN’istëve të pavlerë dhe atij do duhet ndonjë dashamir t’i tregojë se nëse do vazhdojë edhe më tej defaktorizimi politikë i shqiptarëve të këtushëm, atëherë ky shtet do shkojë për lesh.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta