
Humbja e pësuar ndaj Kosovës në kualifikueset e Botërorit 2026 bëri që Federata Suedeze e futbollit të shkarkojë nga posti i tij trajnerin Jon Dahl Tomasson.
Tani qeveria e futbollit në vendin skandinav bëri të ditur emrin e zëvendësuesit të danezit dhe bëhet fjalë për Graham Potter. Tashmë në moshën 50-vjeçare, ish-trajneri i Chelsea, pranoi që të drejtojë fillimisht Suedinë për një periudhë të shkurtër kohe në mënyrë që të ndihmojë këtë skuadër për kualifikimin në Botërorin e 2026.
Skuadra nordike pas humbjes në 13 tetor me Dardanët, nuk mund të shkojnë në Botërorin e vitit të ardhshëm direkt nga faza kualifikuese, por ajo mund të kapë fazën e playoff-it pas suksesit në Nations League 2024/25 teksa u rendit në krye të grupit të saj.
Në krahun tjetër Graham Potter u shkarkua nga West Ham në fund të muajit shtator pas një fillimi zhgënjyes të sezonit dhe tani ai do të ulet në pankinën e Suedisë. Presidenti i Federatës Suedeze të Futbollit, Simon Astrom u shpreh i kënaqur për faktin se institucioni që ai drejton e menaxhoi mirë çështjen e zëvendësimit të Tomasson duke bërë një zgjedhje të mirë për skuadrën suedeze.
“Synojmë ende të shkojmë në Kupën e Botës, verën e ardhshme-u shpreh Astrom-shpresa jonë është që të luajmë ndeshjet e playoff-it në muajin mars dhe të gjitha vendimet që morëm tani, i bëmë duke u bazuar në optimizmin e kushteve për të arritur objektivin tonë. Kemi punuar shumë dhe u fokusuam te ky proces javën e kaluar dhe me Graham Potter ne fitojmë lidership të fortë dhe me eksperiencë që është parë edhe në nivelet më të larta në mënyrë absolute”.
Top Channel