
Fanella që Rey Manaj veshi në sfidën ndaj Serbisë, më 11 tetor në Leskovc, është kthyer në një objekt të çmuar koleksionistësh.
Në ankandin ndërkombëtar të organizuar nga MatchWornShirt, me të cilën FSHF bashkëpunon zyrtarisht, ajo u shit për plot 3,100 euro. Oferta fituese erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku blerësi, i vendosur për ta pasur këtë kujtim historik, rriti çmimin plot 11 herë, nga 378 euro në mbi tre mijë.
Fanella mban firmën e Manajt dhe mbetet një simbol i veçantë, pasi ai ishte autori i golit që vulosi fitoren historike të Shqipërisë ndaj Serbisë, një moment që do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve kuqezi.
Kjo është fanella e dytë më e shtrenjtë e Kombëtares shqiptare në ankand. Rekordin e mban ajo e Nedim Bajramit, e veshur në përballjen ndaj Italisë në Euro 2024, kur ai shënoi golin më të shpejtë në historinë e Kampionateve Europiane, pas vetëm 23 sekondash. Ajo fanellë u ble për 5,792 euro.
Top Channel