
Të premten e shkuar, Tirana u vesh me flamujt e UÇK-së, në protestën ku morën pjesë shqiptarët nga Shqipëria e Kosova, në mbështetje të liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po përballen me procesin gjyqësorë në Gjykatën e Hagës.
E ftuar këtë mbrëmje në “Top Story”, përballë Grida Dumës, ministrja e jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, u shpreh se kjo protestë ishte emocionuese dhe e duhur.
Ajo tha se organizatorët e kësaj protestë kishin zgjedhur Tiranën si vend për t’u bashkuar në këtë tubim, pasi Tirana është kryeqendra e shqiptarisë.
“Nga organizatorët protesta është zgjedhur të bëhet në Tiranë sepse Tirana është kryeqendra e shqiptarisë, kjo është një çështje e historisë së kombit shqiptar. Duhet të bëhen edhe në Prishtinë, në çdo shesh ku ka shqiptar, madje dhe në Hagë”, tha ministrja.
“Ishte emocionuese, protesta e duhur, protestë mbarëkombëtarë, jo e dirigjuar nga fije politike. Në momentin që është votuar Gjykata Speciale, janë bërë për t’i dhënë përgjigje përfundimtare akuzave të frikshme mbi luftën e Kosovës, por dhe akuzat ndaj Shqipërisë si bashkëpunëtore në krime lufte. Ajo gjykatë nuk u krijua nga presioni ndërkombëtarë, por me përgjegjësi dhe pjekuri shtetërore në atë kohë, që të zhbëheshin akuza të tilla monstruoze.
5 vite nga ngritja e akuzave, kemi një proces që ka kaluar afatet me dëshmi të zbehta dhe proces të parregullt që sot ka vënë hije dyshimi mbi gjykatën. Nuk lejojmë që të përmbysen rolet dhe në këtë teatër të drejtësisë viktimat të kthehen në agresorë, dhe agresorët në viktima”, u shpreh Spiropali.
Spiropali u shpreh se marrëdhënia mes dy shteteve është vëllazërore, përtej deklaratave politike.
“Përtej deklaratave partiake, sot kemi raport intensive mes dy qeverive, shqiptare dhe asaj të Kosovës, marrëdhëniet janë vëllazërore”, u shpreh Spiropali.
Top Channel