
Vizatimi është një akt i pastër, i çliruar nga gjykimi, një mënyrë për të komunikuar me ndjenjat përtej arsyes.
Për piktorin Gazmend Leka, vizatimet nuk janë thjesht akt përgatitor drejt pikturës, por është magji më vete, ndaj ekspozitën me mbi 80 krijime në Galerinë FAB e titulloi “Magjia e Vizatimit”.
Për mjeshtrin e penelit, vizatimi është një akt krijues që merr jetë në të brendshmen tonë dhe ndriçon shpirtin.
“Për mua, vizatimi zë një vend shumë të rëndësishëm në krijimtarinë time, kam një lidhje shumë të fortë me të, sa herë që krijoj ciklet e pikturave, sigurisht që merrem edhe me koleksionin e vizatimeve. Këtë herë, nuk doja të ndërtoja vizatimin si një servil të pikturës, si një paradhomë të pikturës.
Kam marrë disa imazhe, të cilat i kam pasqyruar në të gjithë krijimtarinë time 40-vjeçare dhe i kam ripërtypur edhe njëherë. Nga memoria ime, kam liruar disa figura, të cilat kishin një lloj aktivizimi, nuk kishin vdekur përfundimisht në shpirtin tim”, tha piktori Gazmend Leka.
Vija që konturojnë portrete, ngjyra e nuanca që diferencojnë format, dritëhije që përballin botë të ndryshme.
“Kjo është një lloj ndjeshmërie që ka njeriu kur merret gjatë me një gjë, është ajo përplasje që ke gjatë ditës, çohesh në mëngjes ka diell, në darkë bie nata. Edhe krijimi ka stilin e tij, ka momente kur fut dritën më të fortë, ka momente kur drita bëhet më përkëdhelëse dhe ka më shumë hije”, deklaroi piktori.
Një tjetër element i veçantë janë titujt që qëndrojnë pas çdo krijimi që joshin më shumë publikun dhe nxisin imagjinatën.
“Është fare normale që kur lind një fëmijë, duhet t’i vendosësh emër patjetër pa kaluar ai 30-40 ditëshi. Zakonisht përpiqem të mos ia vë emrin direkt, që pasi publiku të marrë emocionin e parë, kur lexon titullin, krijon edhe shtresat e mendimit”, u shpreh ai.
Ekspozita, që është një ritregim i të gjitha personazheve të Gazmend Lekës në mbi katër dekada, mirëpret artdashësit në Galerinë FAB të Universitetit të Arteve deri më 2 nëntor.
Top Channel