Krizë te Juventusi pas humbjes me Comon, e ardhmja e Tudor në “fije të perit”/ Trajneri që fitoi titullin historik me Napolin në ‘Pole’

20/10/2025 07:42

Në shtëpinë bardhezi diçka është thyer. Humbja ndaj Comos ka lënë shenja të thella te Juventusi, që duket se ka arritur një pikë ku nuk mund të shkojë më tej.

Në “Stadio Sinigaglia”, skuadra e Igor Tudor dha përshtypjen e një ekipi të bllokuar, pa ide të qarta dhe me shumë pikëpyetje në repartin ofensiv.

Sipas mediave italiane, rrënjët e krizës nisin që nga vera, kur klubi priste shitjen e Dusan Vlahovic, një lëvizje që nuk ndodhi kurrë.

Qëndrimi i serbit ka sjellë konfuzion në ndërtimin e sulmit: a duhet luajtur me një apo dy sulmues? A duhet besuar te momentet e mira të Vlahovic apo te afrimet e reja si David dhe Openda? Pyetje që, me kalimin e kohës, janë kthyer në një rebus të vërtetë.

Tregu i merkatos ka shtuar opsione në fazën e avancuar, por ka lënë boshllëqe të mëdha në mesfushë, aty ku, zakonisht, përcaktohet fati i një sezoni. Në përfundim të sfidës ndaj Comos, tabloja ishte e qartë: dy sulmues në fushë, një tjetër (Openda) në stol dhe skuadra e Fabregas që shënonte për herë të dytë.

Për Tudorin, kjo ishte humbja e dytë në kampionat që prej rikthimit të tij në Torino. Tani e pret një javë vendimtare: Reali i Madridit në Ligën e Kampionëve të mërkurën dhe Lazio në “Olimpico” të dielën. Një tjetër rezultat negativ mund të rrezikojë seriozisht të ardhmen e tij në stolin bardhezi.

Analistët në Itali theksojnë se Tudor nuk ka gjetur ende formulën e duhur për të balancuar skuadrën. Juventusi vuan në tranzicion dhe shpesh humbet kontrollin në fazën mbrojtëse. Vetë trajneri kroat ka pranuar se po mendon të ndryshojë sistemin, duke kaluar në mbrojtje njeri më njeri në goditjet standarde, ndërsa në horizont shfaqet një tjetër çështje: rinnovo i Yildiz, që po ndikon në strategjinë e klubit.

Ndërkohë, sipas mediave italiane, në rast shkarkimi të Igor Tudor, Luciano Spalletti shihet si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Juventusit. Federata Italiane e Futbollit mund të lejojë largimin e përkohshëm të tij nga kombëtarja, nëse arrihet një marrëveshje me klubin bardhezi.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta