
Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.
Menjëherë pas daljes së rezultateve të para, koalicioni i shqiptarëve në qeveri, VLEN, ka nisur festimet me këngë e valle, teksa pretendojnë se janë shumë pranë fitores në Çair të Shkupit si dhe në Tetovë.
Ndërkohë nga ana tjetër koalicioni shqiptar në opozitë, blloku i partive të kryesuara nga BDI, ka nisur me kontestime duke deklaruar se janë vërejtur disa parregullsi. Ata thonë se presin të shkruajnë historinë, por që të ndodhë kjo sipas tyre, duhet të numërohet saktë vullneti i qytetarëve.
Kandidati i AKI-së, për komunën e Çairit, Bujar Osmani, nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook ka uruar Izet Mexhitin dhe koalicionin VLEN për fitoren.
Izet Mexhiti, drejtuesi i VLEN, ka shpallur fitoren e koalicionit shqiptar VLEN në Çair të Shkupit.
Ai tha se fituan shqiptarët, dhe se VLEN do të vijojë në qeverisje.
Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të komunës së Tetovës, Bilall Kasami, është në epërsi ndaj kandidatit të Aleancës Kombëtare për Integrim(AKI), Bajram Rexhepi, sipas të dhënave të siguruara nga shtabi zgjedhor i VLEN.
Kandidati i koalicionit shqiptar në qeveri VLEN për komunën e Haraçinës, Daut Beqiri, ka dalë fitues në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, duke mposhtur për një diferencë të ngushtë kandidatin e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Skënder Isufi.
Pas përfundimit të procesit zgjedhorë dhe mbylljes së qendrave të votimit, koalicioni shqiptar VLEN përmes një konference për media tha se presin fitore që në raundin e parë në komunat Çair, Tetovë, Saraj, Bogovinë, Zhelinë dhe Tearcë.
Koalicioni i partive shqiptare në opozitë, ka nisur kontestimin pas mbylljes së votimeve në Maqedoninë e Veriut.
Zëdhënësi i Aleancës Kombëtare për Integrim, pjesë e koalicionit të BDI së Ali Ahmetit, Arbër Ademi, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, ka ngritur shqetësime për keqpërdorime të institucioneve gjatë ditës së zgjedhjeve, duke theksuar në veçanti përdorimin e policisë për të ndikuar te votuesit.
20:07 Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, nënkryetari i VMRO: Jemi në prag të një fitoreje të madhe
Sot, qytetarët e Maqedonisë së Veriut iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në bashki dhe komuna. Nënkryetari i VMRO, Timço Mucunski, në një deklaratë për media tha se partia e tij janë në prag të një fitoreje të madhe.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor në Maqedoninë e Veriut njoftoi se numri i votuesve deri në ora 17:00 është 39.61 për qind.
Sipas të dhënave të azhurnuara, pjesëmarrja më e madhe u regjistrua në këto komuna:
Vevçan
Debërcë
Demir Kapi
Doiran
Zelenikovë
Karbinci
Konçe
Kriva Pallankë
Krivogashtan
Krushevë
Maqedonia e Veriut po mban këtë të diel zgjedhjet lokale, në 81 komuna të saj.
Këto zgjedhje kreu i BDI-së, Ali Ahmeti i ka cilësuar shumë të rëndësishme, jo vetëm për nga karakteri lokal, por politik në përgjithësi.
Në një komunikim me gazetarët, ai tha se mënyra sesi shkon procesi, janë pasqyrë e qeverisë.
12:42 Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, hallet e shqiptarëve dalin para çështjeve kombëtare
Një seri debatesh të moderuara nga BIRN e të mbajtura përpara zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, treguan se problemet e përditshme në komunitetet etnike shqiptare kanë përparësi ndaj temave të mëdha kombëtare.
Votimet e sotme janë kthyer në boshtin e një beteje të ashpër politike për epërsi midis partive që përfaqësojnë popullsinë e madhe shqiptare etnike të vendit, e megjithatë shumë prej zgjedhjeve janë të shqetësuar më tepër nga çështje që janë më afër tyre.
Maqedonia e Veriut mban sot raundin e parë të zgjedhjeve lokale, ku qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin drejtuesit e rinj të 81 komunave të vendit, përfshirë edhe kryetarin e Komunës së Shkupit, si dhe anëtarët e këshillave komunalë.
Votimi nisi në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të vijojë deri në orën 19:00. Procesi po zhvillohet në 3,474 qendra votimi në gjithë territorin e vendit, ndërkohë që në listën zyrtare të votuesve janë regjistruar 1,832,415 qytetarë me të drejtë vote.
22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 grupe të pavarura garojnë në zgjedhje – Plot 309 kandidatë për kryetarë komunash dhe 576 lista për këshilltarë lokalë
Top Channel