Një test i ri gjaku, që mund të zbulojë më shumë se 50 lloje kanceri, po shihet si një hap i madh drejt diagnostikimit më të hershëm të sëmundjes, sipas një studimi të zhvilluar në Amerikën e Veriut.

Rezultatet e provës klinike tregojnë se testi ishte në gjendje të identifikonte një gamë të gjerë kanceresh – rreth 75% prej të cilave nuk kanë asnjë program ekzistues kontrolli apo depistimi.

Mbi gjysmën e rasteve të zbuluara ishin në fazë të hershme, kur trajtimi është më i lehtë dhe mundësitë për shërim janë shumë më të mëdha. Testi, i quajtur Galleri, është zhvilluar nga kompania amerikane Grail dhe zbulon fragmente të ADN-së kancerogjene që shkëputen nga tumoret dhe qarkullojnë në gjak. Aktualisht ai po testohet edhe nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë.

Në provën e zhvilluar me 25 mijë të rritur në SHBA dhe Kanada për një periudhë njëvjeçare, gati 1 në 100 persona mori rezultat pozitiv. Në 62% të rasteve këto u konfirmuan më vonë si kancer. Sipas drejtuesit të studimit, të dhënat tregojnë se testi mund të “ndryshojë rrënjësisht mënyrën si bëjmë kontrollin për kancerin”.

Ai shtoi se testi mund të ndihmojë në zbulimin e shumë llojeve të kancerit “në fazat kur trajtimi ose edhe shërimi janë më të mundshëm.”

Testi rezultoi gjithashtu shumë i saktë në përjashtimin e rasteve pa kancer, duke dhënë rezultate të sakta negative në mbi 99% të pjesëmarrësve. Kur u kombinua me kontrollet ekzistuese për gjirin, zorrën e trashë dhe qafën e mitrës, numri i përgjithshëm i kancereve të zbuluara u shtatëfishua.

Veçanërisht, tre të katërtat e rasteve të zbuluara ishin të kancereve që nuk kanë programe depistimi, si ato të vezoreve, mëlçisë, stomakut, fshikëzës dhe pankreasit. Testi gjithashtu identifikoi me saktësi origjinën e kancerit në 9 nga 10 raste.

Shkencëtarët e përfshirë në studim besojnë se këto rezultate janë shumë premtuese dhe se testi mund të luajë një rol të madh në diagnostikimin e hershëm të kancerit.

Megjithatë, ekspertët që nuk kanë marrë pjesë në studim paralajmërojnë se nevojiten më shumë prova për të treguar nëse testi ul realisht vdekshmërinë nga kanceri.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta