
Më shumë se 2,000 banorë janë zhvendosur nga fshatrat e Alaskës, pas përmbytjeve të rënda që goditën rajonin fundjavën e kaluar. Guvernatori Mike Dunleavy deklaroi se dëmet janë aq të mëdha, saqë shumica e këtyre njerëzve nuk do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre për të paktën 18 muajt e ardhshëm.
Në një kërkesë zyrtare drejtuar Shtëpisë së Bardhë, ai kërkoi shpalljen e një katastrofe të madhe, që do të mundësonte ofrimin e ndihmës federale.
Ndër fshatrat më të prekur është Kipnuk, ku një vlerësim paraprak tregon se rreth 90% e shtëpive ose 121 banesa janë shkatërruar plotësisht. Situata është gjithashtu e rëndë edhe në Kwigillingok, ku janë zhdukur dhjetëra shtëpi dhe mbi një e treta e tyre janë shpallur të pabanueshme.
Sipas autoriteteve, përmbytjet u shkaktuan nga mbetjet e tajfunit Halong, i cili goditi zonën me forcën e një uragani të kategorisë së dytë, duke sjellë dallgë të fuqishme dhe erëra të forta që lanë pas një shkatërrim të jashtëzakonshëm.
Bilanci i viktimave përfshin një person të vdekur dhe dy të zhdukur, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë evakuuar dhjetëra banorë nga shtëpitë e tyre, të cilat u përmbytën ose u rrënuan nga era. Për shkak të izolimit të rajonit, i paarritshëm me rrugë tokësore, transportimi i të prekurve është bërë vetëm me helikopterë dhe avionë ushtarakë. Shumica e të evakuuarve janë strehuar në shkolla të komuniteteve përreth ose janë dërguar në Anchorage, qytetin më të madh të Alaskës.
Autoritetet e Anchorage kanë bërë të ditur se presin të strehojnë deri në 1,600 persona. Deri tani, rreth 575 të evakuuar janë transportuar në qytet nga Garda Kombëtare e Alaskës dhe janë vendosur përkohësisht në një arenë sportive dhe një qendër konventash.
Po bëhen përpjekje për t’i zhvendosur ata në akomodime më të përshtatshme, si hotele, dhe më vonë në strehim afatgjatë. Sipas guvernatorit Dunleavy, për shkak të kushteve të vështira klimatike dhe infrastrukturës së dëmtuar, është shumë e mundshme që shumë komunitete të mos jenë të banueshme gjatë dimrit.
Ndërkohë, qeveria federale ka ofruar ndihmë për operacionet e shpëtimit, vlerësimet e dëmeve dhe mbështetjen logjistike për evakuim. Një deklaratë zyrtare për katastrofë nga Presidenti Donald Trump do të mundësonte ndihmë shtesë, përfshirë fonde për rindërtim dhe asistencë për banorët e prekur. Delegacioni i Alaskës i ka bërë thirrje Shtëpisë së Bardhë të reagojë me urgjencë dhe të miratojë kërkesën për ndihmë.
Fshatrat e prekura janë të izoluara dhe të paarritshme nga rrugët kryesore. Komunitetet janë të vogla dhe varen kryesisht nga gjuetia dhe peshkimi për mbijetesë. Për shumë prej banorëve, largimi nga këto zona nuk është vetëm një humbje fizike, por edhe kulturore dhe shpirtërore.
Top Channel